E shenjta e provokuar dhe e “e shenjta” e pandjerë
Dje dita u përshkua nga buja për rrahjen e shkrimtarit të popullit, kurse mbrëmja nga gjesti i mosngritjes në këmbë të dyshes së VV-së Visar Ymeri dhe Donika Kadaj gjatë intonimit të hymnit kosovar në Kongresin Zgjedhor të AKR-së. U dëshmua edhe njëherë se natyra e lajmeve si këto dy mbipeshojnë ndaj lajmeve të rëndësisë ekonomike e politike. Pra ajo që ekonomia e veçanërisht marksizmi e njohin, si “ekonomi-politikë” u tregua edhe njëherë e huaj për agorën sociale kosovare.
Por përse ndodh kështu, respektivisht përse përshkohemi nga preokupime të derexhes së tillë edhe pas 17 viteve pasluftë? Përshkohemi sepse si një shoqëri me të kaluar të afërt tradicionale/komunitare, që kishte kaluar në komunizëm pa kaluar nëpër kapitalizëm (besa pa e përbrendësuar mirë as nacionalizmin etnik), si dhe duke përjetuar përnjeherë hapjen ndaj dy botërave (oksidentale dhe orientale); rikthimin në skenë të fesë; distancën dhe dallimet brezërore; jemi kurthuruar dhe ngatërruar në huti me vetëveten dhe të tjerët dhe nuk po mund të vetëdijësohemi pikërisht për ndikimet (e jashtme dhe të brendshme) të së tashmes ekonomike-politike: kapitalizmit, përballjes me idetë politike moderne, detyrës shtetndërtimit etj.
Kësodore ajo që njihet si “lifestyle”, respektivisht reagimet ndaj mynyrës së jetesës duke provokuar besimin, të shenjtën dhe vlerën e tjetrit janë bërë ushqimi dhe agjenti gati më i fuqishëm i popullarizimit të kontaminimit kulturor e letrar. Pak ka rëndësi nëse shkrimtari i popullit tha ndonjë të vërtetë. Fundja a nuk na mësojnë edhe shpjegimet sociologjike e antropologjike, pra ato shkencore, se gjithçka filloi me incest në klanet/bashkësitë e para primitive, sepse s’kishte si ndryshe?
Nëse po, atëherë këtu përdorimi i martesës së Muhamedin me Aishën, ka fare pak rëndësi, aq sa marrin hov, zhurma dhe ploja identitare, kulturore dhe orientimore në polemika të tilla. Për shkrimtarin e popullit reagoi deri edhe ambasadorja e Njujorkut me një mbështetje tipike provinciale që mbante duhmë decifitarizmi shekullor intelektual.
Së këndejmi operimi me të shenjtën, operimi me heriofaninë, ku kulturorja, orientimorja dhe identitarja i paraprijnë debatit politik e ekonomik (për më tej duke u ndikuar pavërejtshëm nga copëzimi që shkakton kapitalizmi) kthehet në standard të operimit ditor. Shkrimtari i popullit ngacmon të shenjtën e tjetrit, kurse Ymeri e Kadaj provokojnë gëlime të reja të pandjeshmerisë: katundaria e pasluftës me redingotë kapitaliste e ‘kosovare’ nisin e shtiren se sa e duakan Kosovën, flamurin, hymnin. Nëse Visar Ymeri u përjetuaka si dikush që nacionalizimin e ka të kooptuar me vonesë, ç’të themi për shtiracakët kirimenelë e zhvatës? Se e duan dhe e përjetojnë Kosovën ? E pështirë.
Për sa kohë që shteti i Kosovës me sjellje prej anonimati injoron shenjuesin shqiptar, shenjues ky prej 90% të popullatës, gjithnjë do të ketë të tillë që i’a e kthejnë injorimin: injorojnë anonimatin. Qenësinë numerikisht shqiptare të Kosovës, nuk mundi ta injoronte as ideologjia pacifiste e Rugovës. Vetëm ateherë kur autoriteti i përbrendësuar dhe i përjetuar kuptohen, mund të nisë debati se sa ka vend apriori për të renë, qoftë edhe në formatin e anonimatit.