E rrëzoi Kushtetuesja, Qeveria miraton sërish projektligjin për Byronë e konfiskimit të pasurisë por me ndryshime
Qeveria e Kosovës ka miratuar të mërkurën projektligjin e ndryshuar për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Kryeministri Albin Kurti e ka cilësuar këtë projektligj si ndër më të rëndësishmit të Qeverisë së tij.
Projektligji u ndryshua pasi Gjykata Kushtetuese në qershor e shpalli të pavlefshëm.
“Pavarësisht tendencave për zvarritjen e jetësimit të këtij ligji të rëndësishëm, byroja do të bëhet. Do ta ruajë pasurinë publike dhe do t’ia kthejë shtetit atë që është përfituar jashtëligjshëm e do të shërbejë si parandalim që kurrë më të mos keqpërdoret buxheti i shtetit”, ka thënë ai.
E sipas shpjegimit të projektligjit, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, ndryshimet përbëjnë katër nenet që janë hedhur poshtë nga Kushtetuesja.
Ligji për Byronë ishte miratuar në shkurt të 2023-s nga Kuvendi i Kosovës, ndërsa pak ditë më vonë ishte dërguar në Kushtetuese nga Partia Demokratike e Kosovës.