E premtoi brenda këtij mandati, Kurti thotë para gjilanasëve se të tjerët i kanë fajet që s’e bëri autostradën
E premtoi disa herë nëpër deklarata publike, e kishte edhe në programin e qeverisjes së tij për vitet 2021-2025. Megjithatë, autostrada e Gjilanit ende nuk ka përfunduar. Për këtë, kryeministri Albin Kurti u arsyetua gjatë fushatës në këtë qytet duke ua lënë fajin të tjerëve.
Gjatë tubimit atje, Kurti ka thënë se “ka besuar që autostrada kryhet”, duke mos përdorur fjalën “premtim”, e duke marrë parasysh se kishte premtuar se e njëjta do të bëhet.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje u tha qytetarëve të Gjilanit se pushtetet paraprake i kanë fajet, për shkak se “filloi mbrapsht”.
“Kemi besu që autostrada kryhet dhe jemi angazhu shumë që të përfundohet. U desh më shumë kohë se sa që kemi menduar, sepse e pamë sa keq e sa mbrapsht është fillu ajo, projekt pa studim, pa elaborat shpronësimi dhe pa mbikqyrje. Tash që i dijmë telashet, defektet, e dijmë çfarë të bëhet që të kryhet shpejt. Autostrada e Gjilanit ka me u ba, jo vetëm deri në Gjilan, por deri te Dheu i Bardhë” – tha ai të shtunën, transmeton Nacionale.
Pikërisht gjatë fushatës zgjedhore, kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, pati thënë se autostrada do të përfundojë.
“Autostrada Gjilan-Prishtinë do të përfundojë brenda mandatit të Qeverisë Kurti 2. Unë po flas edhe në emër të asaj që kemi biseduar edhe me z. Kurti, me kryeministrin” – kishte thënë ai në “Debat Përnime”.
Autostradën, Qeveria Kurti e premtonte edhe gjatë fushatës së zgjedhjeve të kaluara, derisa në programin 2021-2025, parashihej që të përfundonte e njëjta.
“Krijimi i sistemit të integruar për transportin rrugor mundëson lidhje më të mirë dhe më të shpejtë mes rajoneve brenda vendit dhe jashtë saj. Për të arritur këtë, do të përfundojmë projektet ekzistuese infrastrukturore, si ndërtimin e segmentit të autostradës Besi-Merdare dhe autostradës Prishtinë-Gjilan, zgjerimi i rrjetit ekzistues rrugor Prishtinë-Mitrovicë dhe autoudhën Kijev-Zahaq, do të zbatojmë projektet e reja si zgjerimi i rrugëve nacionale Istog-Pejë-Deçan-Gjakovë-Prizren, përfshirë rrugët qarkore, rehabilitimin e rrugëve kombëtare Qafë Duhël-Shtime-Ferizaj, që lidhet me autostradën Prishtinë-Shkup, si dhe ndërtimi i rrugëve kufitare Deçan-Plavë, Prizren-Tetovë dhe Gjilan-Kumanovë. Po ashtu, vëmendje të veçantë do t’i kushtojmë rehabilitimit të rrjetit ekzistues si dhe ndërtimit të rrugëve të reja, si dhe ndërtimit të unazës së jashtme të Prishtinës” – thuhet në programin e Qeverisë Kurti 2021-2025.
Kurtin në Gjilan e pyetën në lidhje me këtë autostradë. Gjatë një tubimi para pak javësh, Kurti, heshti ndaj pyetjes së gazetarëve për autostradën e Gjilanit – që kishte njoftuar se zyrtarisht përfundon në fund të 2023-ës – si dhe për Urë te Liqeni i Badovcit, që ka qe gati tre vite që ka mbetur në vend.
“Autostrada, ku është, pse s’është rregullu? Ura e Liqenit të Badovcit kryeministër? Tregona kryeministër pse na ke gënjy për autostradën?” – ishin pyetjet e drejtuara Kurtit.