E përfundon periudhën izolimin rasti i parë me linë e majmunëve në Kosovë, IKSHP: Nuk është konfirmuar ndonjë rast tjetër
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se rasti i parë i importuar i lisë së majmunëve dhe të gjitha kontaktet e ngushta të tij, e kanë përfunduar periudhën e izolimit dhe monitorimit dhe i janë kthyer normalitetit.
Në njoftimin e IKSHP’së thuhet se më nuk është raportuar e as konfirmuar ndonjë rast tjetër me Mpox.
“Rasti me LijënM është liruar nga Klinika Infektive ditë më parë në gjendje të mirë shëndetësore dhe me rekomandimet shtesë për kujdes dhe sjellje shëndetësore, ndërkohë që te asnjë prej kontakteve të identifikuara të rastit, nuk ka pasur manifestim të shenjave të dyshimta për infeksion dhe që të gjitha i janë kthyer normalitetit pas periudhës së monitorimit të rregullt nga IKSHPK. IKSHPK vazhdon të monitorojë në mënyrë të vazhdueshme situatën epidemiologjike lidhur me Mpox dhe për sëmundjet të tjera ngjitëse në vend”, thuhet në njoftim.
Lia e majmunëve përhapet përmes kontaktit të ngushtë. Zakonisht përcillet me simptoma të buta, por në disa raste virusi mund të jetë fatal për njeriun.
Virusi përcillet me simptoma sikurse ato të gripit, si dhe me puçrra të mbushura me qelb nëpër trup.
Në gusht, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e shpalli atë si emergjencë globale për shëndetin publik.
Shpallja e një sëmundjeje si emergjencë globale për shëndetin publik, nënkupton që mund të ndahen më shumë fonde dhe të merren masa në nivel global për të parandaluar përhapjen virusit.