E pashmangshmja
E vetmja mundësi reale, sipas autorit, është ndonjë trajtë asocimi midis Shqipërisë dhe Kosovës, paralelisht me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE). Në këto rrethana, shqiptarëve të Maqedonisë u mbetet të mbrojnë interesat e tyre kombëtare brenda këtij shteti dhe, marrë në tërësi pjesët e copëtuara të kombit shqiptar mund të bashkëpunojnë vetëm brenda kornizave të BE-së dhe NATO-s. Nisur prej këtij përfundimi, Krasniqi nuk njeh ndonjë rol të “shtetit amë” për Shqipërinë, prandaj e akuzon për “ndërhyrje paternaliste vulgare” kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, në Beograd, meqenëse ai përmendi edhe çështjen e Trepçes. Autori nuk e mohon që tentativa për bashkimin e shqiptarëve mund të ndërmerren, por thotë se ato do të dështojnë, meqenëse aleatët e shqiptarëve, në radhë të parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk dëshirojnë prishjen e integriteteve të shteteve të tjera ballkanike. Gjithsesi, Krasniqi është i kujdesshëm që verdiktin për mosbashkimin e shqiptarëve ta paraqesë jo si dëshirë vetjake të tij, por si një mendim që imponohet nga realiteti i situatës së tanishme të shqiptarëve.
Autori i artikullit i dytë në të njëjtin numër, Abdi Baleta, shpreh keqardhjen me ambientimin e shumë politikanëve dhe një pjesë të opinionit publik shqiptarë me realitetin e copëtimit politik të kombit dhe të trevave etnike. Sipas tij, janë të shumtë ata që propagandojnë se shqiptarët janë të pafuqishëm për të zgjidhur problemet e tyre, prandaj të shpresat duhen mbajtur vetëm te pranimi në BE. Baleta vëren një çoroditje të madhe të faktorëve politikë shqiptarë, brenda dhe jashtë Shqipërisë, një çinteresim të tyre për të bashkuar qëndrimet dhe veprimet politike për interesat madhore. Kjo pasqyrohet edhe në akuzat për ndërhyrje në punët e brendshme që politikanë dhe opinionistë në Kosovë i drejtuan kryeministrit të Shqipërisë kur ai në Beograd foli për Kosovën. Sipas Baletës, Edi Rama veproi drejt sepse, “koncepti i ‘mosndërhyrjes në punët e brendshme të njëri-tjetrit’ nuk duhet të ekzistojë fare në mendimin politik e praktikën diplomatike, kur është fjala për marrëdhënie midis Shqipërisë e Kosovës. Madje kur bëhet e domosdoshme e vlen të ndërhyhet me forcë dhe publikisht nëse njëri apo tjetri shtet shqiptar bën veprime që dëmtojnë rëndë interesat kombëtare” (po aty, f. 19-20). Me këto fjalë, Baleta ia njeh “mandatin” secilit shtet që të mbrojë interesat e kombit shqiptar në tërësinë e tij, me ç’rast ai kërkon që Kosova të kapërcejë kufizimet ahtisariane dhe të sillet si shteti i dytë i kombit shqiptar. Realiteti politik që përshkruan Baleta nuk lë shumë vend për optimizëm, mirëpo ai nuk pajtohet me të dhe përpiqet që realiteti të lëvizë drejt idesë së bashkimit politik të kombit.
Çështjen e bashkimit të kombit shqiptar në një shtet Baleta e shtron në këtë mënyrë: “A do të duan dhe a do të përpiqen shqiptarët të mbeten më çdo kusht vëllezër si deri tani? Që të sigurohet kjo duhet patjetër edhe një jetë e përbashkët, jo vetëm si bashkëkombas, por edhe bashkështetas. Apo shqiptarët do ta lënë veten t’i rrëmbejë edhe më shumë rrjedha e turbullt e tjetërsimit kombëtar dhe bashkësitë e sotme të ndara shqiptare të përfundojnë në fqinjësira të përhershme shtetërore të tëhuajësuara me njëra-tjetrën?!” (po aty: 17). Nëse në të të vërtetë pjesët e ndara të trungut shqiptar po i ngjajnë copave të thyera të xhamit, siç pretendon Krasniqi, atëherë pritet të ndodhë ajo që paralajmëron Baleta: tjetërsimi i shqiptarëve drejt identiteteve të tjera. Do të humbasë, ose së paku do të rrudhet, kuptimi i kombit shqiptar. Nuk mund ta anulosh idenë e bashkimit, siç këshillon Krasniqi, dhe të pretendosh të ruash të paprekur identitetin kombëtar.
Meqenëse Krasniqi në artikullin e tij dhe tjetërkund ka tentuar të teorizojë mbi nacionalizmin në përgjithësi dhe mbi atë shqiptar në veçanti, ai me gjasë e di se përkufizimet e ndryshme të kombit përfshijnë idenë e një vullneti politik të përbashkët. Ai e merr Sami Frashërin si udhërrëfyes të ideve të nacionalizmit shqiptar, prandaj e ka të qartë se në manifestin e tij politik Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet ideja e kombit në të vërtetë shpaloset vetëm në pjesën e tretë të veprës, pikërisht aty ku Samiu projekton të ardhmen moderne të kombit shqiptar në një shtet të vetëm. Dy pjesët e tjera, ku ai përshkruan të kaluarën dhe të tashmen e shqiptarëve, janë në funksion të projektit të shtetit kombëtar. Të konstatosh se pjesët e kombit nuk ngjiten më dhe të pajtohesh (qoftë edhe me pahir) me këtë realitet, do të thotë që ta kesh zbrazur “kombin” nga brendia politike dhe ta kesh lënë vetëm me atë kulturore. Mirëpo komb apolitik nuk mund të ketë, sepse vetë termi “komb” është një kërkesë për sovranitet politik. Togfjalëshi “komb shqiptar” e nënkupton idenë e bashkimit politik edhe nëse ajo nuk shqiptohet. Në çdo kohë dhe rrethanë duhet menduar e punuar për bashkimin, sepse vetëm kështu ekziston politikisht kombi. Nëse kërkojmë një “moratorium” për idenë e bashkimit deri sa të kemi zgjidhur probleme të tjera që ka secila pjesë e ndarë (p.sh. demokracia, integrimit në BE, mirëqenia ekonomike) kjo do të thotë se kemi pezulluar vetë kombin, se nuk e mbajmë për një njësi të qenësishme politike, por thjesht si shenjues të të dhënave etnike e folklorike që ka një grup njerëzor (prejardhja, gjuha, zakonet). Edhe pse Milazim Krasniqi mund të mos e pranojë, metafora e tij e qelqit të thyer i shkon shumë për shtat kosovaristëve që kërkojnë një komb alternativ, meqenëse ata janë të bindur se bashkimi i Kosovës me Shqipërinë qenka i pamundur. Halil Matoshi “kombin kosovar” e koncepton si një mishmash shqiptaro-serb, por së paku ai e emërton atë drejt si një projekt politik të imponuar nga ndërkombëtarët.
Për hir të argumentit, le ta zëmë se vërtet pjesët e ndara të kombit shqiptar qenkan si copat e thërrmuara të qelqit që nuk mund të ngjiten. Le ta zëmë se ne shqiptarët do të ambientohemi me copëtimin dhe në një çast të dhënë do të heqim dorë vullnetarisht nga projekti i bashkimit, për hir të integrimit në BE dhe NATO. A do të mund të gjejmë paqen e dëshiruar në shtetet ku jemi? Vështirë se kjo do të ndodhë, sepse çështja shqiptare do të mbetet. Çështja shqiptare, si e tillë, nuk mund të shmanget, sepse ajo ekziston pavarësisht vullnetit të vetë shqiptarëve. Në vitin 2009, diplomati Shaban Murati botoi librin Çështja shqiptare pas pavarësisë së Kosovës, me atë të cilit ka dhënë një ndihmesë të vyer dhe në kohën e duhur. Murati na kujton se krijimi i shtetit të ri nuk e mbyll çështjen shqiptare, ngaqë ajo ka dimensione historike dhe gjeopolitike. Edhe më parë ka ndodhur që ta konsiderojnë të mbyllur, por diplomacia ndërkombëtare është detyruar që të merret me të. Çështja shqiptare ka lindur në kuadër të rivaliteteve midis fuqive evropiane e ballkanike në fazën e shpërbërjes së Perandorisë Osmane dhe ajo nuk është zgjidhur përfundimisht as me krijimin e shtetit shqiptar më 1912 dhe as me atë të Kosovës më 2008 (Tiranë: Globus R, f. 15-16, 31). Në vijim të këtyre vëzhgimeve të drejta të Muratit, mund të shtojmë se lindja e nacionalizmit shqiptar ishte përpjekja për ta trajtuar çështjen shqiptare si problem të vetëvendosjes së një populli (kombi). Edhe para se e drejta e vetëvendosjes të sanksionohej si e tillë në dokumentet ndërkombëtare, Lidhja e Prizrenit kërkoi pikërisht këtë gjë: njohjen ndërkombëtare të ekzistencës së kombit shqiptar me të drejta të patjetërsueshme politike mbi territorin e vet. Disa nga fuqitë ndërkombëtare e ato ballkanike e njihnin Shqipërinë si koncept gjeografik, por jo ekzistencën e kombit shqiptar. Në kuvendin e Lidhjes, Abdyl Frashëri thoshte se “fqinjët tanë janë smirëzinj vetëm ndaj faktit që ekzistojmë. Ata kërkojnë të na e grabisin mendimin e ekzistencës sonë”. Çështjen shqiptare tentuan ta zgjidhin vetëm në kuadrin gjeopolitik, pa marrë parasysh kërkesat e kombit shqiptar, por nuk ia arritën plotësisht për sa kohë që në shtetet ballkanike kishte shqiptarë. Prandaj, edhe në periudha paqeje nuk mungonin elaboratet shkencore, marrëveshjet ndërshtetërore dhe politikat e zbatuara për dëbimin e shqiptarëve. Vetëm me zhbërjen e shqiptarëve do të merrte fund çështja shqiptare. Kjo është arsyeja pse mendojmë se çështja shqiptare është e pashmangshme, edhe nëse shqiptarët do të heqin dorë nga ideja e bashkimit kombëtar. Nëse me çështjen shqiptare do të refuzojnë që të merren shtetet, institucionet dhe organizatat politike të shqiptarëve, kjo do të thotë se shqiptarët nuk do të pranojnë të jetë subjekt dhe do të trajtohen si objekt i projekteve politike të të tjerëve.
Nuk ka dyshim se të tjerët do të vijojnë të merren me çështjen shqiptare, edhe në kuadër të një Ballkani demokratik, të stabilizuar dhe të integruar në BE e NATO. Siç e thotë Murati, shtrimi për zgjidhje i çështjes shqiptare “duhet parë si një përpjekje për të vendosur dhe konsoliduar ekuilibra të drejta dhe të sigurta brenda shteteve ku ndodhen përbërës të çështjes shqiptare, gjë që në fund të fundit është një ndihmë për marrëdhëniet e mira ndëretnike në ato shtete, por edhe një garanci e një stabiliteti dhe paqeje në funksion strategjik” (po aty, f. 32). Megjithatë, ky është veçse supozimi i Muratit mbi atë se si duhet të jetë qasja e drejtë e fuqive perëndimore ndaj çështjes shqiptare. Ky nuk ka se si të jetë edhe qasja shqiptare. Përpara se të jetë një çështje në funksion të paqësimit e demokratizimit të rajonit, ajo nga shqiptarët duhet parë si problemi i një kombi të ndarë. Qëndrimi i drejtë shqiptar duhet të jetë që kombi shqiptar është një dhe që të funksionojë si një trup i vetëm i nevojitet vetëvendosja politike. Sigurisht që qëndrimi ynë për çështjen shqiptare duhet të kombinohet me atë të Perëndimit që të japë rezultate konkrete (për hir të argumentit e pandehim të njësuar qëndrimin e Perëndimit ndaj çështjes shqiptare, por kjo nuk duhet marrë apriori), gjithsesi kjo nuk do të thotë që qëndrimi shqiptar të humbasë identitetin e vet dhe të njësohet plotësisht me shikimin gjeopolitik. Çështja shqiptare është e pashmangshme, kurse ideja e bashkimit është Ylli i Veriut që u tregon shqiptarëve kahun e duhur të lëvizjes së tyre në funksion të zgjidhjes së duhur.