“E natyrshme, bashkëpunim i ngushtë”: Çka sinjalizon vizita e Hamzës në Shtëpinë e Bardhë?

“E natyrshme, bashkëpunim i ngushtë”: Çka sinjalizon vizita e Hamzës në Shtëpinë e Bardhë?

Si “krejt të natyrshme” dhe “bashkëpunim i ngushtë” i përshkruan kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, takimet e tij me zyrtarë amerikanë në Shtëpinë e Bardhë.

Ai thotë se ato janë si rezultat i bashkëpunimit që kishte pasur gjatë kohës sa shërbente si ministër i Financave – gjatë viteve 2011-2013 dhe 2017-2020 – dhe guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës – gjatë viteve 2013-2017.

“Ndërsa, kësaj radhe, jam duke e zhvilluar këtë vizitë zyrtare në kapacitetin tim si i nominuar për kryeministër dhe si kryetar i Mitrovicës së Jugut”, thotë Hamza për Radion Evropa e Lirë.

Për drejtorin e Grupit të Ballkanit për Politika në Prishtinë, Naim Rashiti, koha e mbajtjes së këtyre takimeve “është me rëndësi” dhe paraqet një zhvillim të ri për shkak se ndodh pas disa mosmarrëveshjeve mes Kurtit dhe Perëndimit.

“Veçanërisht është si zhvillim i ri për faktin që [Hamza] është lider i opozitës që takohet në Shtëpinë e Bardhë dhe kjo nuk ndodh shpesh”, thotë Rashiti.

Që nga ardhja e tij në pushtet, Kurti e ka vizituar SHBA-në disa herë, por nuk ka vizituar Shtëpinë e Bardhë. Për herë të fundit, ai u shoqërua nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, në shkurt të këtij viti, për të marrë pjesë në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Kurti kishte bërë vizitë zyrtare në SHBA edhe gjatë muajit prill – për funeralin e ish-sekretares amerikane, Madeleine Albright – dhe në maj të vitit 2022, kur ishte takuar me shumë pjesëtarë të komunitetit shqiptar atje dhe me disa kompani të ndryshme.

Hamza ka paralajmëruar se gjatë kësaj vizite në SHBA do të zhvillojë edhe takime të tjera: në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, në Departamentin amerikan të Shtetit dhe me organizata joqeveritare.

Që nga viti 2021, disa veprime të Qeverisë së Kosovës – si vendosja e masës së reciprocitetit për targat dhe dokumentet hyrëse me Serbinë, mbyllja e disa degëve të Postës së Serbisë në veri, shpallja e Mbrojtjes Civile dhe Brigadës së Veriut si organizata terroriste – janë kundërshtuar nga SHBA-ja e BE-ja.

Këto zhvillime kanë bërë që opozita ta kritikojë disa herë Qeverinë e Kosovës për prishje të raporteve me SHBA-në dhe aleatët e tjerë perëndimorë.

Mandati i parë i Kurtit si kryeministër kishte marrë fund në mars të vitit 2020, kur deputetët kishin votuar mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë.

Arben Gashi, nga Grupi Parlamentar i LDK-së – partisë që ishte në koalicion qeveritar me Lëvizjen Vetëvendosje – kishte thënë se Kurti po e pamundësonte funksionimin e Qeverisë “përmes mosveprimit dhe pozicionimit jokonstruktiv në raport me partnerët në përgjithësi dhe në veçanti me SHBA-në”.

Zgjedhjet pasuese, Lëvizja Vetëvendosje i fitoi me mbi 50 për qind të votave dhe arriti të formonte sërish Qeverinë, e cila po shkon drejt fundit të mandatit katërvjeçar.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tashmë i ka filluar konsultimet me partitë politike për datën e zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme, duke i ofruar si data 26 janarin e vitit të ardhshëm, si dhe 2, 9 dhe 16 shkurtin.

Takimin e parë ai e zhvilloi më 7 gusht me asistentin e posaçëm të presidentit amerikan, Joe Biden, ambasadorin Michael Carpenter që njëherësh është drejtor i Lartë për Evropë në Këshillin për Siguri Kombëtare, dhe me drejtoreshën për Ballkanin dhe Evropën Qendrore, Kathleen Larkin.

“Ambasadori Carpenter më rikonfirmoi se SHBA-ja mbështet fuqishëm Kosovën në rrugën tonë euro-atlantike. Për ta përshpejtuar këtë rrugë, Kosova duhet të mbetet partnere kredibile dhe të sillet në mënyrë të përgjegjshme ndaj obligimeve ndërkombëtare”, tha Hamza për Radion Evropa e Lirë.

Rashiti thotë se vizita e Hamzës mund të ketë pasur të bëjë edhe me urën kryesore mbi lumin Ibër që ndan Mitrovicën e Jugut dhe atë të Veriut – të cilën Qeveria e Kosovës po synon ta hapë për qarkullim të automjeteve.

Insistimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në hapjen e urës mbi Ibër ka nxitur reagime të shumta nga Perëndimi – përfshirë paralajmërimet nga zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, se Kosova po rrezikon mundësitë e krijuara; dhe nga zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, për masa të mëtejshme ndëshkuese.

Verën e kaluar, BE-ja kishte ndërmarrë disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës, përfshirë anulimin e disa takimeve në nivel të lartë.

Shpërndaje në: