E majta që përjashton “dukjen e varfër”

Jetlir Buja Opinione

Moda. Kjo është fjala që e përshkruan shtytësin e përcaktimit ideologjik të partive politike në Kosovë. Menjëherë pas lufte, në modë ishte e djathta dhe si parti me përcaktim të tillë u deklaruan të gjitha ato që kishin rëndësi në atë kohë: LDK-ja, PDK-ja, AAK-ja, e pak më vonë edhe LDD-ja me AKR-në. Pra, kishim një djathtizëm të gjithandejmë. Por, programet e tyre politike ishin në shpërputhje me strukturën sociale të vendit. Kjo strukturë e bënte të pamundur që në praktikë të shpërfillej varfëria, ose interesat e shtresës së varfër. Të gjitha partitë e përmendura më lart, megjithëse të djathta, në fakt vepruan si të majta. Dhe tri të parat, aktualisht kanë lidhje shumë më të forta me shtresën e varfër se sa partitë e deklaruara si të majta. A mund të shpërfillje 70 përqindshin e elektoratit, i cili ishte i varfër? Natyrisht që jo. Idenë e Shpend Ahmetit që thotë se “nuk është e nevojshme të dukesh si i varfër për t’i përfaqësuar interesat e tyre” e kishin në mendje para dy dekadash liderët e partive të djathta. Edhe ata i zhveshën teshat e varfërisë.

Lumir Abdixhiku, para se të hynte në LDK, thoshte se në Kosovë nuk kishte asnjë parti të djathtë [që dmth, as LDK-ja nuk ishte e tillë]. Shumë e drejtë! Të gjithë janë të majtë – dhe të gjithë majtizimin e kanë në thelb të korruptuar! Qoftë në nivelin deklarativ, qoftë në përmbajtjen e veprimtarisë politike, e qoftë në rrethanën klasore dhe stilin e jetës që bëjnë.

Ndryshimi i modës. Në vitin 2014, Lëvizja Vetëvendosje e bëri një hop të madh ideologjik kur u shkëput nga qëndrimet për shkatërrimin e sistemit ‘neoliberal’ duke thënë përmes gojës së Albin Kurtit se besonte te ‘tregu i lirë’. Ajo kaloi nga utopia që e kishte kultivuar përgjatë një dekade në një të majtë konkurruese të deklaruar. Pas Vetëvendosjes, si e majtë u deklarua edhe Nisma, e së fundi edhe Partia Socialdemokrate. Modë hesapi. Kosova po lëvizë nga e djathta në të majtë – por vetëm në nivelin estetik. Sepse Kosova nuk mund të ishte tjetër pos e majtë – shkaku i strukturës sociale, dhe e korruptuar – shkaku i kulturës familjocentriste e tribale të shoqërisë.

Së pari kishte një të majtë memece, që i vinte marre të ishte e majtë, që rridhte nga shtresa e varfër dhe që përfaqësonte interesat e kësaj shtrese. E më pas, korrupsioni i së majtës u zgjerua kur ajo u bë e deklarueshme – por ku duhej të visheshe e më pas të zhvisheshe nga rrobat e varfërisë.

PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja, ani që rridhnin nga shtresa e varfër ose të paktën bazën e anëtarësisë e kishin nga kjo shtresë – e patën të nevojshme që të visheshin si të pasur. Ata e kuptuan që në fillim se ‘i varfëri’ shkaku i rrethanës në të cilën ndodhet, e ka të internalizuar inferioritetin dhe e merr më seriozisht ‘njeriun e veshur si të pasur’ se atë që vishet si ai.

Vetëvendosje dhe PSD-ja nuk rrjedhin nga shtresa e varfër, dhe as baza e anëtarësisë së saj nuk është nga kjo shtresë – prandaj, e kishin/kanë të nevojshme që të vishen/visheshin si të varfër në mënyrë që të identifikohen me të. Belbëzimi i Shpend Ahmetit përbën vetëm një shpurdhje që tregon se kjo strategji manipuluese ka dështuar. “Le të vishemi siç jemi, le të shthurremi siç dimë, le t’i çjerrim këto maska dhe t’i krijojmë do tjera”. Këto fjalë u nënkuptuan prej tij.

Duke qenë në opozitë, Vetëvendosje ka pasur vakt të investonte jashtëzakonisht shumë në imazhet e saj. Mbeti e papërlyer, e formësoi njëfarë dukje urbane, me raste vishej ‘kuq-e-zi’ e me raste tjera del të jetë veshur edhe si e varfër. Kjo nuk do të kishte ndonjë të keqe të madhe sikur të mos harronte që njerëzit ekzistojnë përtej platformave mediale, përtej Facebook-ut dhe televizorit. Ajo harroi të kultivonte lidhje të forta, nga rrënjët, me klasën punëtore dhe të varfërit e vendit – duke qenë e stërpërqendruar në nivelin reprezentativ/përfaqësimor. Platforma politike e prezantuar nga Albin Kurti – e bën poashtu një mbivendosje të ashpër ndaj shoqërisë përmes aktivistëve të saj. Këta të fundit duhet të kalojnë më shumë kohë me të varfërit e shoqërisë se me njëri-tjetrin – thuhet në platformën e Kurtit. Veprimi politik përmbajtësor i Vetëvendosjes ishte i zbrazët. Ajo u arratis në diskursin e nacionalizmit romantik duke mos mundur të tërhiqte masën me ndonjë mënyrë tjetër. Ajo e tejthjeshtoi diskursin e Lëvizjes duke dashur të ndillte revoltë qytetare. Dhe e bëri këtë, vetëm për tema nacionaliste. Ajo harroi se po e shpërdorte mllefin qytetar të akumuluar për një kohë të gjatë ndaj qeverisjeve të korruptuara.

Vetëvendosja u profilizua si e majtë duke parë mosefektivitetin e politikave sociale të partive që qeverisën. Por, jo duke e sfiduar orientimin e tyre ideologjik. Prandaj, hapat që thotë se do të ndërmerr në rritjen e funksionalitetit të mekanizmave shtetëror nuk merren seriozisht nga qytetarët e vendit. Kjo sepse, për një gjë të tillë duhen kuadro e kapacitete shumë të mëdha. Një gjë e tillë nuk ndodh vetëm përmes vullnetit të mirë. Përmes deklarimit. Në një shoqëri të pakualifikuar është e zorshme të zbatosh me efikasitet të plotë politika të ndryshme sociale. E Vetëvendosje, e ka margjinalizuar programin e saj ekonomik në vazhdimësi në kurriz të programit të saj nacionalist. Një gjë të tillë pritet ta bëjë edhe PSD-ja, e cila nuk ka treguar asnjëherë se ku qëndrojnë dallimet konceptuale me Vetëvendosjen. Edhe PSD-ja kërkon referendum politik, duke nënkuptuar Bashkimin me Shqipërinë, për një shoqëri që thjesht kërkon perspektivë më të mirë ekonomike.

Të dukesh si i varfër vetëm sa për të manipuluar vullnetin e tyre përbën një korrupsion në vetvete. Por, dukja e të varfërit nuk përmblidhet vetëm te veshja. Ajo shprehet edhe në stilin e jetës. Dhe një ndarje të tillë esetetike me shtresën e të varfërve, para se ta bënte PSD-ja, e ka bërë PDK-ja e LDK-ja.

Partitë e deklaruara të majta do të duhej të këpusnin lidhjet korruptive të PDK-së e LDK-së me shtresën e varfër dhe të kultivonin lidhje më të shëndosha me të. Por, kjo nuk mund të bëhet në parti politike që kanë pranuar manipulime estetike, që janë veshur të varfër për t’iu vjedhur zërin këtyre të fundit, e as prej atyre që nuk e pranojnë atë që duket i varfër në ambientet ku rrijnë.

Po, ne mund ta përmbysim deklaratën e Ahmetit: A është e mundur të dukesh i varfër dhe të rrish me kryetarin e PSD-së, PDK-së a LDK-së në ndonjë Jaht, apo ndonjë vend tjetër luksoz? Ose, më shkurt: a është e mundur që të jesh i varfër dhe të flasësh vetë për veten, të përfaqësosh vetë të drejtat e tua?