E konfirmon Prokuroria: Zëvendësministi i Qeverisë Kurti po voziste i dehur kur goditi me veturë zyrtare motoçiklistin
Prokuroria e Gjakovës ka dhënë detaje lidhur me aksidentin e shkaktuar nga zëvendësministri i Zhvillimit Rajonal, Ali Tafarshiku.
Nga prokuroria e kanë konfirmuar se zëvendësministri Tafarshiku po e ngiste veturën në gjendje të dehur dhe se ndaj tij është iniciuar rast për veprën penale penale “Ngasja në gjendje të paaftë apo të dehur”
“Lidhur me rastin në fjalë ju njoftojmë se është inicuar rast për veprën penale “Ngasja në gjendje të paaftë apo të dehur” nga neni 371 të KPRK-së. I dyshuari është intervistuar në stacioni policor, të dëmtuarit i është dhënë ndihma mjekësore ku ka rezultuar se ka pësuar lëndim të lehtë trupor. Rasti është në hetime dhe është duke u trajtuar në procedure të rregullt”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë së Gjakovës për Reporteri.net.
Rasti ka ndodhur mbrëmë rreth orës 22:00 në rrugën “Ali Pashë Tepelena” në Gjakovë.
Ai ishte me veturë zyrtare kur duke mos përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës ka goditur motoçiklistin, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Pas rastit, Tafarshiku është shoqëruar në polici ku i është bërë edhe testi i alkoolit dhe ka rezultuar pozitiv. Sipas testit të policisë në vend ngjarje, rezultoi se zëvendësministri Ali Tafarshiku kishte konsumuar 2.30% promil alkool.
Për aksidentin ka folur sot edhe kryeministri Albin Kurti. Ai në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë nuk ka treguar se çfarë veprimesh do të ndërmerren ndaj zëvendësministrit, por ka thënë se po presin institucionet përkatëse të shtetit që të kryejnë punën e tyre fillimisht.
Kurti tha se ndihet “jashtëzakonisht keq” për atë që ka ndodhur, e u shpreh se njëjtë ndihet edhe zëvendësministri. Ai tha se beson që “shumë shpejt do të merren hapat në vijim”.