E konfirmon Ministria e Mbrojtjes: Ushqimi i ushtarëve është përgatitur nga kuzhinierët e mensës dhe burgjeve
Ministria e Mbrojtjes ka konfirmuar se ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës ushqimi u është përgatitur nga kuzhinierët e Qendrës Studentore dhe Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Përmes një komunikate për media, Ministria e Mbrojtjes deklaron se është “periudhë tranzitore afatshkurtër, deri në rekrutimin e stafit profesional”.
“Pjesëtarëve të FSK-së janë duke ju shërbyer shujtat ditore të zakonshme, i vetmi dallim është që ushqimi është përgatitur nga kuzhinierët e huazuar nga Qendra Studentore si dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës. Kjo do të jetë periudhë tranzitore afatshkurtër, deri në rekrutimin e stafit profesional”, thuhet ndër të tjerash në reagim.
Ndryshe, shteti është detyruar të gjejë zgjidhje të përkohshme për përgatitjen e ushqimit për ushtarët e FSK-së, marr parasysh problemin me tenderin për furnizim.
Improvizimi është bërë duke angazhuar punëtorët e Mensës së Studentëve që të udhëtojnë në kazermat për t’ua përgatitur ushqimin ushtarakëve.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci javën e kaluar pranoi në një intervistë për Dukagjinin se ka pas probleme me tenderin për furnizim me ushqim në FSK.
Ai tha se ka pasur vendime e edhe anulime të tyre, duke aluduar në vendimin e zëvendësit të tij, Shemsi Syla që ky tender të shpallet sekret shtetëror.
Maqedonci tha se tenderin për ushqimin e ka fituar një kompani por nuk është nënshkruar dhe se tenderi është në auditim të brendshëm të Ministrisë.
Kompania “BENI DONA” që deri dje ka pasur kontratë për furnizim me ushqim për Forcën e Sigurisë së Kosovës, i ka dërguar një letër Ministrisë së Mbrojtjes, përmes së cilës është zotuar që të mbështes stafin e FSK’së për përgatitjen e ushqimit, pavarësisht skadimit të kontratës e deri në gjetjen e një zgjidhje.
Nga kjo kompani kanë ofruar të gjtha pajisjet që kanë në kazerma dhe ofrimin e shërbimeve të përgatitjes dhe shpërndarjes së ushqimit për ushtarët deri të gjendet një zgjidhje.