“E kam të qartë mesazhin tuaj” – Abdixhiku falënderon mbi 171 mijë votuesit e LDK-së

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka falënderuar mbi 171 mijë votuesit e partisë së tij, pas numërimit të të gjitha votave.
Në një postim në Facebook, Abdixhiku ka shprehur mirënjohjen për qytetarët që votuan LDK-në, duke theksuar se rritja e numrit të votave është një shenjë e rëndësishme.
“Plot 171,249 falënderime për qytetarët e Kosovës që e votuan LDK-në këtë herë. Kaq u bëmë tani. Ishim vetëm 110,206 katër vite më parë, dhe kjo rritje na flet shumë”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai gjithashtu ka falënderuar qytetarët për mbështetjen e tij personalisht si kandidat, duke theksuar numrin rekord të votave që ka marrë si bartës i listës, 146,352 vota.
“Kjo mbështetje rekord, mbi 85%, është mbështetje për ndryshim të mëtutjeshëm në rrugëtimin tonë përpara brendapartiak! E kam të qartë mesazhin tuaj për LDK-në! Do ta kthejmë në veprim,” ka shtuar Abdixhiku.