E hijshmja dhe e pahijshmja
Gjuha e thjeshtë dhe e kufizuar e presidentit Thaçi, kryeministrit Haradinaj dhe kryekuvendarit Veseli nuk është veç reflektim i edukimit të tyre të mangët, por më shumë, është reflektim i funksionimit të demokracisë në një vend të paedukuar. Pavarësisht që Thaçi thotë “kontest” në vend të “kontekst”, në fakt, ai, njësoj si dy të tjerët, ka për qëllim ruajtjen dhe forcimin e komunikimit me të gjithë ata njerëz anë e mbanë vendit, të cilët kanë gjuhë shumë të varfër, dhe horizonte shumë të ngushta kuptimore.
Megjithëse të paedukuar, të tre të lartpërmendurit jo që nuk evoluan, jo që nuk u edukuan më shumë, por përkundrazi, u vulgarizuan edhe më tej.
Por, vulgarizimi i skenës politike nuk u kufizua vetëm në tre liderët në fjalë. Edhe Albin Kurti, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, dhe një prej liderëve më të edukuar shqiptarë, tha që subjekti i tij e kishte tejthjeshtuar diskursin që t’i mobilizonte masat kundër pushtetit.
Në këto përpjekje për të marrë pushtet nuk ka diçka të jashtëzakonshme. E njëjta gjë ka ndodhur në të gjitha vendet me demokraci libeale. Liderët e vendeve të ndryshme, në mënyrë që të ruanin ose shtonin popullaritetin, kanë bërë vulgarizim e thjeshtim të gjuhës. Papërjashtimisht. Të majtë e të djathtë. Madje, së fundi, në debatet mbi zhvillimet e fundit politike në botë, ku përhapja e populizmit është shqetësimi kryesor, po propozohet [nga Dani Rodrik, më duket] përdorimi i populizmit edhe nga politikanët e qendrës.
Kemi një dorëzim para analfabetizmit të masave. Mos të bëhemi patetikë – nuk jemi aq të veçantë. President i ShBA-ve është një njeri inteligjent, por qëllimshëm skandaloz, si Donald Trump. Në Itali, fituan populistët. E kështu më radhë.
Kosova, për fat të keq, përbëhet nga demosi më i paedukuar në Evropë. Dhe liderët e këtij demosi nuk mund të ishin ndryshe. Edhe nëse do të ishin më të edukuar se ky demos [Kurti e disa të tjerë], do t’iu duhej që të flisnin e të silleshin më thjeshtë, më vrazhdë – në mënyrë që të kuptoheshin e të përkraheshin.
Të korruptuarit, dmth hajdutët, nuk besoj që masa i sheh me sy të keq – sidomos një masë që i ka rrënuar të gjitha autoritetet morale. Si të korruptuar e të padashur janë ata që i dalin kundër, agjentët e ndryshëm të çështjeve emancipuese, njerëzit kundër kaosit të tyre moral, që duan t’i rrisin horizontet e tyre kuptimore.
Dhe në këtë përpjekje populiste, qoftë edhe të pavetëdijshme, për të qenë sa më i kuptueshëm, sa më popullor, mund të futen edhe veprimet e kryeministrit Haradinaj. Ajo që mund të duket si ‘e pahijshme’ për një pjesë njerëzish më të edukuar, në fakt, mund të jetë tepër “e hijshme” për masën e paedukuar e vulgare. Ai vrapoi në mes të sheshit për të mos u vonuar në një takim. E fillon punën në orën shtatë. Së fundi, e përzuri dhunshëm një grua nga foltorja – duke e marrë rolin e sigurimit.
Në thelbin e tyre, politikanët në demokraci nuk mund të jenë veçse shërbëtorë të këtij përbindëshi të jashtëzakonshëm që quhet masë. Shteti demokratik nuk mund të jetë tjetër veçse një degë ku kacavirren majmunët. Dhe veç në majmunërinë e tyre, liderët mund të ruajnë popullaritetin.
Një lider që nuk do të ishte kontravers, thjeshtues, i rrokshëm përmes mangësive të tij, skandaloz, do të ishte i destinuar të dështonte.