E gjithë Kosova iu gëzua mbrëmë suksesit të Zvicrës, e cila kundërshtonte pranimin tonë në UEFA
Një natë e vecantë për gjithë kombin zvicëran padyshim ishte ajo e mbrëmshmja, por është e paqartë cila pjesë i entuziazmoi më shumë shqiptarët, të cilët vështirë ndonjëherë duken më të bashkuar se kaq.
Në fakt, për të mos u treguar tendenciozë, e dimë arsyen e gëzimit të miliona shqiptarëve anë e mban botës për triumfin e Zvicrës kundër Francës, për ta siguruar cerekfinalen e Kampionatit Evropian, shkruan Periskopi.
Sigurisht, angazhimi i Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit me helvetikët e bën shumë më të lehtë admirimin e kësaj Kombëtareje për shqiptarët.
Mirëpo, angazhimi i tyre me Zvicrën, nuk është as për së afërmi më domethënës se veprimet e Federatës Zvicërane të Futbollit në Kongresin e 3 majit të vitit 2016, në Budapest.
Në fakt, përvec Serbisë, Zvicra ishte ndër kundërshtarët më të mëdhenj të Kosovës për pranim si vend me të drejta të plota në UEFA.
Ajo, ndonëse në mënyrë më të moderuar se Serbia, u rreshtua kundër anëtarësimit tonë. Përfaqësuesi i saj vuri theksin tek e ardhmja e futbollistëve të kombëtares së vet dhe statusit të tyre nëse Kosova do të anëtarësohet.
Fillimisht, Zvicra çoi pluhur rreth amendamentimit të Statutit të UEFA-s, që parashihte edhe ndërrimin e një neni që ka penguar vazhdimisht pranimin e Kosovës, e që ishte i lidhur me pranimin në OKB. Pas debatit për të, propozoi që votimi të bëhej në mënyrë të fshehtë dhe kjo u aprovua. Në fund amendamentimet nuk kaluan, pasi nuk morën 2/3 e votave që kërkoheshin.
Pas kësaj i erdhi radha votimit për pranim të Kosovës. Paraprakisht pati debate. Pas Serbisë, fjalën e mori sekretari i përgjithshëm i Federatës zvicerane, Alex Miescher.
Ai e tha troç atë që e mundon Zvicrën – lojtarët shqiptarë të saj. U shpreh kundër që lojtarët të kenë të drejtë të ndërrojnë përfaqësuese pas pranimit të Kosovës. /Periskopi.com/