E FUNDIT: Shukri Buja ftohet në Hagë
Ish-komantanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për Zonën Operative të Nerodimës, Shukri Buja ka udhëtuar për në Hagë, me ftesë të Gjykatës Speciale.
Ai njoftoi në Facebook se ka udhëtuar “pa dëshirë”, dhe se është i detyruar të paraqitet.
“Të nderuar bashkëluftëtarë, miq dhe dashamirë, të nderuar qytetarë! Me ftesë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, sot pa dëshiren time, me ftesë të detyruar të paraqitjes, udhëtova për në Hagë”, shkroi Buja.
Ish-kryetari i Lipjanit tha se “bijtë më të mirë të këtij vendi u akuzuan dhe po mbahen padrejtësisht në burg”.
“UÇK ishte e shenjtë, ishte kundër pushtuesit, falë luftës së saj të armatosur dhe falë përkrahjes së aleateve në veçanti nga SHBA-të ne e gëzojmë lirinë sot. Lufta çlirimtare në Kosovë ishte e imponueshme, e domosdoshme dhe e drejtë, ngaqë ishte e drejtuar kundër një pushtuesi, i cili përpiqej me zjarr dhe hekur të kryente spastrimin e përgjakshëm etnik të Kosovës”, shkroi Buja.
“Lufta çlirimtare solli lirinë dhe pavarsinë që shumë po e gëzojnë sot, ndërsa bijtë më të mirë të këtij vendi u akuzuan dhe po mbahen padrejtësisht në burg. Besoj në pafajësinë e bashkëluftëtarëve!”, shtoi ai.