E dhimbshme: Ky është 21-vjeçari që humbi jetën si pasojë e aksidentit të rëndë në Klinë
Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Klinë, ku si pasojë e një aksidenti të rëndë, një person ka humbur jetën dhe një tjetër ka mbetur i lënduar. Lajmi tashmë është konfirmuar nga Policia, ndërsa janë zbardhur edhe detaje të tjera në lidhje me rastin.
Sinjali mëson se viktima e këtij aksidenti është 21-vjeçari, Arianit Gashi, nga fshati Përqevë i Klinës.
Ndërkaq, personi i lënduar është 19-vjeçari,Egzon Gashi, i cili ishte pasagjer në veturën e vetaksidentuar.
Sipas informacioneve zyrtare, mëngjesin e sotëm, 19-vjeçari i cili ka mbetur i lënduar, është paraqitur në QMF-në në Volljagë të Klinës, për të pranuar ndihmë mjekësore.
Ndërkaq, mjeku kujdestar e ka njoftuar policinë se personi i lënduar ka qenë i përfshirë në aksident.
Me të marrë lajmin, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku 21-vjeçari Arianit Gashi është gjetur i vdekur në veturë.
Policia ka bërë të ditur se vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar, ndërsa personi i lënduar pas trajtimit në Emergjencën e Pejës, është liruar për në shtëpi.