Dyshimet për tren bullgar në një kuti në Gjakovë: PDK kërkon Komision hetues, VV-ja e kundërshton

Dyshimet për tren bullgar në një kuti në Gjakovë: PDK kërkon Komision hetues, VV-ja e kundërshton

Anëtari i PDK-së në KQZ, Ilri Gashi, në mbledhjen e mbajtur sot të KQZ-së, ka kërkuar krijimin e një Komisioni Hetimor, për një kuti votimi në Gjakovë me numër 02-07-06, në të cilën dyshohet se është votuar përmes atij që quhet “treni bullgar”.

Gashi ka thënë se ajo kuti s’është dashur të numërohet, deri në një hetim përfundimtar.

“Mendoj që duhet të trajtohen edhe disa çështje për të cilat kanë ndodhë gjatë ditës së votimit, që për njërën nga këto është në trajtim edhe nga Prokuroria. Kërkoj nga ju që të bëni një Komision për të hetuar një kuti në Gjakovë, për të cilën është thënë se ka qarkulluar “treni bullgar”, bëhet fjalë për kutinë 02 07 06, e cila është objekt hetimi. Ajo kuti është numëruar, kërkoj që të largohet nga rezultati deri në një hetim përfundimtar. Kërkoj ta bëni një Komision, pavarësisht përfudnimit të organeve të drejtësisë”, ka thënë Gashi, duke iu drejtuar Drejtorit të Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Partive Politike, Besnik Buzhalës.

Megjithatë me një kërkesë të tillë të anëtarit të PDK-së, s’është pajtuar anëtari i LVV-së në KQZ, Alban Krasniqi, duke thënë se tashmë për të njëjtën kuti është duke u zhvilluar një hetim nga Prokuroria e Shtetit dhe se do të veprohet ndaj të njëjtës në momentin që do të ketë epilog hetimi.

“Që të mos të dalë në media ky këndvështrim i njëanshëm dhe joprofesional i kolegut, sepse për kutinë në Gjakovë organet po merren dhe ne s’kemi nevojë me ndërmarrë veprim tjetër, përveç asaj që organet e hetuesisë, ata i kanë marrë materialet, i shikojnë dhe në bazë të cilave dalin me një raport dhe  në bazë të të cilit ne veprojmë”, ka thënë Krasniqi.

“Natyrisht numërimi është dashur të ndodh, për të ditur gjendjen reale të kutisë, dhe besoj ajo është bërë “, ka shtuar tutje Krasniqi.

Shpërndaje në: