Dyshimet për kontrabandë me armë, Gjykata e Mitrovicës cakton masë paraburgimi për 8 të arrestuar

Dyshimet për kontrabandë me armë, Gjykata e Mitrovicës cakton masë paraburgimi për 8 të arrestuar

Gjykata Themelore në Mitrovicë u ka caktuar masë paraburgimi prej një muaji tetë personave të arrestuar një ditë më parë, nën dyshimet për kontrabandë me armë.

Më 19 mars, autoritetet e sigurisë zhvilluan një aksion në 21 lokacione në Mitrovicën e Jugut, Mitrovicën e Veriut, Vushtrri, Skenderaj dhe Leposaviq, ku arrestuan 16 persona dhe konfiskuan armë e municione.

Seanca për caktimin e masës së paraburgimit është mbajtur në mesditën e së enjtes në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, me kërkesë të Prokurorisë.

Prokuroria tha se për të dyshuarit, B.H, I.P dhe O.B, kërkon paraburgim pasi ata dyshohet se kanë kryer veprat penale “detyrim” dhe “import, eksport, furnizim, transportim, prodhim, këmbimi, ndërmjetësim ose shitje e paautorizuar e armëve apo material plasëse”.

Ndërkaq, A.S, T.R, A.B, Sh.S dhe NR, po ashtu dyshohen për veprën që ka të bëjë me importin, eksportin, prodhimin e shitjen e paautorizuar të armëve.

Policia deklaroi se aksioni i 19 marsit u krye pas hetimeve disamujore.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha më 19 mars për Radion Evropa e Lirë se në mesin e të arrestuarve është dhe një zyrtar policor, i cili është pezulluar nga puna.

“Polici është pezulluar përkohësisht gjatë arrestimit, deri në përfundimin e hetimeve. Nëse është i pafajshëm, do të kthehet në punë”, deklaroi ai.

REL-i mësoi nga burimet e saj se polici i arrestuar është nga radhët e komunitetit serb.

Autoritetet e sigurisë nuk kanë dhënë hollësi se nga cilat vende apo në cilat shtete mund të kenë importuar dhe eksportuar të dyshuarit.

Edhe më herët, Policia e Kosovës ka gjetur dhe konfiskuar armatim kohë pas kohe, veçanërisht në pjesën veriore të shtetit, të banuar me shumicë serbe.

Shpërndaje në: