Skandali i konkursit me diploma fals, KEK-u e pranon se ka pasur kandidatë që kanë aplikuar me diploma të falsifikuara

Skandali i konkursit me diploma fals, KEK-u e pranon se ka pasur kandidatë që kanë aplikuar me diploma të falsifikuara

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka pranuar se një numër i konsiderueshëm i kandidatëve kanë aplikuar me diploma të falsifikuara në konkursin e hapur së fundmi nga ky institucion.

Paparaci kishte raportuar mbrëmë ekskluzivisht lidhur me konkursin në KEK, ku 47 kandidatë kishin falsifikuar diplomat për t’u bërë pjesë e Korporatës Energjetike të Kosovës.

I përfshirë në këtë konkurs dyshohet të jetë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi, i njohur si njeriu kyç për punësimet në KEK.

Përmes një përgjigje për Paparacin, KEK ka njoftuar se kanë qenë të vetëdijshëm se disa kandidatë kanë aplikuar me diploma të falsifikuara.

Sipas tyre pasi është bërë verifikimi, kandidatët e dyshuar për falsifikim janë larguar menjëherë nga procesi.

“Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) sh.a. njofton opinionin se gjatë procesit të rekrutimit për pozitat e manipuluesve të shiritave transportues, Departamenti i Burimeve Njerëzore (BNJ) ka pranuar një informatë nga jashtë lidhur me dyshimet për diploma të falsifikuara. Në përpjekje për të verifikuar këto dyshime, BNJ kanë dërguar për verifikim regjistrin për 471 kandidatët të cilët i janë nënshtruar procedurave të rekrutimit, tek të gjitha institucionet arsimore që i kishin lëshuar diplomat. Pas kërkesës së KEK, të gjitha institucionet arsimore i janë përgjigjur pozitivisht dhe kanë realizuar verifikimin e diplomave. Nga ky verifikim, kanë dalë dyshime për një numër të caktuar kandidatësh që nuk i kanë diplomat në rregull. Si rezultat, të gjithë kandidatët, diplomat e të cilëve kanë shkaktuar dyshime, janë larguar menjëherë nga procesi i rekrutimit. Për më tepër, KEK, respektivisht Zyra Ligjore ka përgatitur dosjen të cilën tashme e ka  dorëzuar tek institucionet relevante të drejtësisë, të cilët janë kompetentë për trajtimin e rasteve të kësaj natyre”, thuhet në përgjigjen e KEK-ut për Paparaci.

Përmes një hulumtimi, Paparaci ka mësuar se kandidatët kanë falsifikuar diplomat për t’u bërë pjesë e KEK-ut.

Shkolla e Mesme Profesionale “Ismail Dumoshi”, institucioni i vetëm në Obiliq në të cilin nxënësit mund të diplomojnë për xehetari, kishte vërtetuar se dokumentet që i kanë paraqitur në konkurs nuk janë lëshuar nga ky institucion.

Në bazë të dokumentin që e posedon Paparaci, shumica prej kandidatëve bartin numrin e njëjtë të dosjes, duke e bërë edhe më skandaloz këtë konkurs.

Shpërndaje në: