Dyshimet për import të mishit nga Brazili “me origjinë nga Kosova”: AUVK-u nis hetimet ndaj kompanisë “Apetiti sh.p.k”

Dyshimet për import të mishit nga Brazili “me origjinë nga Kosova”: AUVK-u nis hetimet ndaj kompanisë “Apetiti sh.p.k”

Pasi u konfirmua se kompania kosovare “Apetiti sh.p.k” ka blerë mish nga Brazili dhe atë e ka shitur në Shqipëri si mish me origjinë nga Kosova, duke falsifikuar dokumentet në bashkëpunim ilegalë me inspektorë të shtetit, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka urdhëruar ndaljen e menjëhershme të lëshimit të dokumenteve për eksport për biznesin e lartcekur.

“Është formuar komisioni profesional i cili do të bëjë auditimin (gjurmushmërin/përputhshmërinë) e të gjitha hyrje daljeve të biznesit për të vërtetuar dyshimin e ngritur. Po ashtu janë informuar edhe autoritete tjera qe merren me taksat (doganat, ATK)”, ka thënë zëdhënësi i AUVK-së, Lamir Thaçi, në një përgjigje për Periksopin.

Ai ka treguar se tani do të fillojë hetimi për të gjurmuar “për pjesën e mandatit të tyre dhe në të njëjtën kohë do e mbështesim njëra tjetrën, me të dhënat rreth të gjeturave qe burojnë nga kontrollet e detajuara. Pas kompletimit të plotë të hulumtimit do të ju mbajmë të informuar mbi të gjeturat”.

Ai megjithatë ka theksuar se “në këtë fazë nuk mund të pre-supozojmë veprimet, ato do të ndërmerren konform të gjeturave”.

Derisa ka siguruar se ”secili i përfshirë në veprime të kundërligjshme do të përballet me masat ndëshkimore të përcaktuara me ligj”.

Me të dhëna të plota AUVK ka premtuar se do të dal pas hulumtimit të plotë të rastit.

“Po ashtu mbi secilën masë ndëshkimore qe vendoset për secilën palë të involvuar do paraqesim shkeljet nëse vërtetohen. AUV nuk do ta amnistoj asnjë punonjës për të cilin vërtetohet se ka bërë shkelje”, thotë përgjigja e Thaçit.

Ky skandal u bë publik fillimisht nga emisioni Stop në Shqipëri.

 

Shpërndaje në: