Dy vjet nga aplikimi, Kosova larg anëtarësimit në BE

Dy vjet nga aplikimi, Kosova larg anëtarësimit në BE

Qeveria e Kosovës thotë se po i bëhet padrejtësi vendit me zvarritjen e shqyrtimit të aplikimit për marrjen e statusit vend-kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Sipas ekzekutivit kosovar opinioni i BE-së ndaj këtij aplikimi dhe marrja e pyetësorit, janë hapa të domosdoshëm që duhet të merren nga unioni evropian.

Dy vjet nga aplikimi, në qeveri shpresojnë që presidenca hungareze e Këshillit të BE-së të trajtojë me seriozitet të merituar kërkesën e Kosovës. Në anën tjetër, në Lidhjen Demokratike të Kosovës akuzojnë qeverinë se s’ka punuar asgjë në integrimet evropiane, derisa këtë proces e ndërlidhin edhe me dialogun Kosovë-Serbi. Ndërkaq, njohësit e integrimeve evropiane janë skeptik se do të ketë vendim pozitiv nën presidencën e Hungarisë.

Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, thotë për KosovaPress se është e padrejtë që Kosovës të mos i jepet mundësia që të vlerësohet në baza meritokracie mbi nivelin e përgatitjes dhe gatishmërisë institucionale.

“Ne mendojmë se është e padrejtë që Kosovës të mos i jepet mundësia që të vlerësohet në baza meritokracie mbi nivelin e përgatitjes dhe gatishmërisë institucionale. Opinioni nga ana e BE-së dhe marrja e pyetësorit, janë hapa të domosdoshëm të cilat duhet të ndërmerren. Kemi punuar ngushtë me presidencat e Këshillit të BE-së përgjatë kësaj periudhe, dhe shpresojmë që ajo aktuale hungareze ta trajtojë me seriozitetin e merituar kërkesën tonë për aplikim”thekson Kadiu, transmeton Klankosova.tv.

Ai shton se aplikimi i Kosovës për marrjen e statusit-vend kandidat për anëtarësim në BE ishte si rezultat siç thotë ai i progresit të gjithmbarshëm dhe sinjal i fuqishëm i vullnetit, gatishmërisë dhe vendosmërisë për të bërë hapa përpara në procesin e integrimit evropian dhe rrugës drejt BE-së.

Mirëpo, kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, në Kuvendin e Kosovës, Rrezarta Krasniqi, thotë për KosovaPress se qeveria s’ka punuar asgjë për integrim evropian.

Marrjen e statusit të vendit-kandidat për anëtarësim në BE, ajo e ndërlidh edhe me dialogun Kosovë-Serbi.

Në anën tjetër, profesori i integrimeve evropiane, Dritëro Arifi, është skeptik se do të ketë lëvizje nën presidencën hungareze për dhënien e statusit Kosovës si vend-kandidat për anëtarësim në BE.

Megjithatë, ai shton se edhe nëse Kosova merr dritën e gjelbër, anëtarësimi në BE në rrethana aktuale është i pamundur për shkak të mosnjohjes së Kosovës nga pesë vendeve të BE-së.

Kosova ka aplikuar për marrjen e statusit vend-kandidat për anëtarësim në BE më 15 dhjetor të vitit 2022. Aplikimi deri tani nuk është shqyrtuar nga asnjë vend që ka pasur presidencën e Këshillit Evropian, ndërkaq deri më 31 dhjetor 2024, presidencën e Këshillit e ka Hungaria.

Shpërndaje në: