Dy të vdekur dhe disa të lënduar: Momenti kur makina përplaset me turmën në Mannheim të Gjermanisë

Ky është momenti kur blerësit e tmerruar u larguan duke bërtitur pasi një makinë përplasi një turmë njerëzish në Mannheim, duke lënë dy të vdekur dhe të paktën 14 të lënduar.
Dhe pamjet e publikuara në internet, ndër tjerash tregojnë edhe dhjetëra njerëz që largohen me shpejtësi nga ndërtesat dhe vrapojnë nëpër rrugët në qytetin gjerman pas incidentit të tmerrshëm, përcjell Telegrafi.
Blerësit u larguan në mënyrë të dëshpëruar nga vendi i ngjarjes në zonën Paradeplatz në qendër të qytetit Mannheim pasi dy persona gjetën vdekjen kur makina u përplas me grupin.
Mbetet e paqartë saktësisht se sa njerëz u lënduan në incident – fillimisht ishin 25 të plagosur, 15 prej tyre rëndë, raportoi gazeta gjermane Bild.
Disa njerëz u panë të shtrirë në tokë pas kësaj, tha një dëshmitar okular.
Ai tha se nuk e pa përplasjen, por pa ‘njerëzit që iknin në panik’ dhe policinë kudo, madje edhe në çati.
Autoritetet bënë të ditur pasditen e sotme se pas ngjarjes kishin arrestuar një 40-vjeçar gjerman. Raportet kanë thënë se i dyshuari besohet të jetë i armatosur dhe është arrestuar rreth 30 minuta pas sulmit vdekjeprurës.
Një zëdhënës i policisë në vendngjarje tha për Welt se ata nuk mund të përjashtonin ende një sulm të dytë, por pothuajse të gjitha rrugët dhe urat që çojnë jashtë qytetit po kontrollohen nga policia me automatikë, ndërsa një helikopter qarkullon mbi Manheim.
Qendra e qytetit duhet të shmanget ‘në shkallë të gjerë’, ka shkruar policia në një postim në Twitter/X.
Incidenti ndodhi ndërsa turmat u mblodhën në qytete në të gjithë rajonet, duke përfshirë Rhineland të Gjermanisë për parada për të shënuar sezonin e karnavaleve.