Dy persona arrestohen, dyshohen për vjedhje në disa xhami të Lipjanit

Dy persona janë arrestuar në Lipjan, nën dyshimin se kanë kryer vjedhje të rënda nëpër disa xhami përgjatë viteve 2023 dhe 2024, ka njoftuar Policia të martën.
Në njoftimin e PK-së, thuhet se vjedhjet janë raportuar të kenë ndodhur nëpër disa fshatra të ndryshme të Lipjanit.
“Rastet ishin denoncuar në polici përgjatë vitit 2023 dhe 2024, ku dyshohej se, persona të dyshuar kishin vjedhur gjësende të ndryshme e në disa raste kishin dëmtuar dhe asgjësuar edhe pasuri në objektet e xhamive”, thuhet në njoftim.
Të arrestuarit janë një 33-vjeçar dhe një tjetër 31-vjeçar.
Me rekomandim të shtetit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48-orë.
Ndaj tyre është iniciuar një hetim në drejtim të veprave penale “Vjedhja”, “Vjedhja e Rëndë” si dhe “Asgjësim apo Dëmtim i pasurisë”.