Dy kosovarë kapen duke punuar “në të zezë” në Gjermani, dëbohen nga shteti

Një grua (kosovare) tentoi t’i shmangej kontrollit, por u kap nga doganierët. Ajo dhe kosovari tjetër i kapur kanë humbur lejen e qëndrimit
Zyrtarët e zyrës kryesore doganore në Dortmund kanë kapur dy punëtorë të paligjshëm në një hotel-restorant në Netphen. Dogana kishte marrë një njoftim përkatës.
Një grua (me shtetësi kosovar) u arratis nga kuzhina dhe tentoi t’i shmangej kontrollit, por u kap nga doganierët, transmeton albinfo.ch. Kur u kontrolluan të dhënat e saj personale, rezultoi se kosovarja nuk kishte të drejtë të punonte. Duke u marrë në punë në mënyrë të paligjshme, ajo ka humbur kështu edhe të drejtën e qëndrimit.
E njëjta gjë vlen edhe për një shtetas tjetër kosovar, i cili po ashtu ishte i punësuar në kuzhinë. Pasaportat e tyre u konfiskuan dhe iu dorëzuan autoriteteve të emigracionit. Dy kosovarët tani duhet të largohen nga vendi brenda një afati të shkurtër, thuhet në komunikatën e zyrës kryesore doganore.
Punësimi i paligjshëm: ekziston rreziku i gjobës deri në 500.000 euro
“Rrethana të tilla mund të rezultojnë në një gjobë të madhe, shkruan wp.de. Punësimi i paligjshëm i të huajve mund të dënohet me gjobë deri në 500 mijë euro”, shpjegon zëdhënësja e shtypit e zyrës kryesore doganore në Dortmund, Andrea Münch.
Duke qenë se dy punonjësit nuk ishin të regjistruar në sigurimet shoqërore, edhe punëdhënësi përballet me procedim penal, përcjell albinfo.ch.
“Kontrollet e paparalajmëruara duhet të priten në çdo kohë, sidomos në sektorët që janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj punës së padeklaruar dhe shkeljes së rregullave për pagën minimale”, shton zëdhënësja.