Dy javë nga skandali i RTK – Kur do të mar vendim Komisioni i Bordit për ta ndëshkuar përgjegjësin e lajmit skandaloz kundër Periskopit?
Janë bërë dy javë prej që pushteti vendosi që përmes RTK-së të sulmoj Periskopin dhe Nacionalen. Televizioni i cili paguhet nga taksat e qytetarëve, transmetoi një lajm nga një portal boshnjak, duke pretenduar se dy media të Kosovës financohen e kontrollohen nga Serbia.
Kjo nuk u kalua në heshtje, pasi mediat reaguan duke kërkuar marrjen e masave ndaj raportimit skandaloz të mediumit dhe kërkuan marrjen e masave ndaj përgjegjësve dhe ndaj drejtorit të Televizonit, Rilind Gërvalla, anëtar i Vetëvendosjes.
Pas kësaj, Bordi i RTK-së themeloi një komision ad-hoc me mision që do të merret me zbardhjen e rastit mbi lajmin e publikuar.
Ky komision i cili përbëhet nga tre anëtarë, në krye me Menduh Hysa-n, tanimë ka filluar punën.
Ai në një prononcim për Periskopin ka thënë se së shpejti do të dalin me një përfundim, por që nuk dha detaje të tjera, pavarësisht se u pyet nga Periskopi.
“Jemi duke punuar, dhe epilogu i kësaj do të dalë shumë shpejt”, u shpreh ai për Periskopin.
Në anën tjetër, në brenda RTK-së pati reagime të shumta, pasi disa redaktorë e gazetarë u distancuan nga raportimi i rremë.
Gjithashtu dorëheqje dha U.D Drejtoresha, Zana Spahiu, reagoi redaktori i edicionit, Jeton Musliu.
Pas publikimit të lajmit skandaloz, RTK-ja është kritikuar me të madhe nga organizata të huaja e vendore, nga gazetarë e analistë të cilët thonë se RTK-ja është e kapur nga pushtetit.
Organizatat joqeveritare dhe aktivistët kanë kërkuar dorëheqjen e Bordit të RTK-së pas raportimit skandaloz për mungesë të pavarësisë dhe profesionalizmit në ushtrimin e mandatit të tyre.
“Radio Televizioni i Kosovës (RTK) ka ri publikuar një informacion dezinformues me qëllim që të sulmojë mediat online Nacionale dhe Persikopi nën pretendimin që kontrollohen nga Serbia. Kjo narrativë e ushqyer ndër vite nga partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje ka për qëllim denigrimin e gazetarëve dhe cytjen e qytetarëve kundër tyre, gjë që përbën rrezik për sigurinë e tyre.” – thuhej në reagimin e tyre.
Gjithashtu, edhe organizata ndërkombëtare “Safe Journalist” ka reaguar ashpër pas sulmeve nga pushteti ndaj Nacionale dhe Periskopit.
“Rrjeti SafeJournalists dënon ashpër fushatën e shpifjeve të nisur nga Lëvizja Vetëvendosje, si dhe shpërndarjen e “lajmeve” të tilla që sulmojnë mediat tjera në Transmetuesin Publik të Kosovës RTK. I bëjmë thirrje kryeministrit Kurti që të dënojë këtë fushatë shpifëse dhe të distancohet nga këto akuza të pabaza. Për më tepër, ne inkurajojmë mediat e prekura që të ndjekin veprime ligjore kundër atyre që janë përgjegjës për ngritjen e akuzave të tilla të rënda, duke përfshirë burimet kryesore që qëndrojnë pas tyre” – thuhej në reagimin e tyre.
Ndërsa, Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se RTK edhe atë e kishte akuzuar se ka qenë bashkëpuntore e Putinit.
Osmani tutje ka thënë se refuzon çdo lloj akuze e që rrezikon jetën e tjetrit.
“Me nis me ragu sa here RTK-ja ka publikuar artikuj ku mua më shpallën bashkëpunetore të Putinit. S’po më duket që ka pasur reagim nga të tjerët. Si parim. Është e pamundur me secilin artikull të merremi. Si parim, si presidente refuzoj çdo lloj gjuhe e akuze e cila në emër të lirisë së shprehjes, e vendos në rrezik jetën e të tjetrit. Këto janë parime të Gjykatës Kushtetuese. Liria vlen derisa ti nuk e rrezikon lirinë e tjetrit. Dinjitetin e tjetrit”, tha Osmani në konferencë.
PDK-ja ka bërë të ditur se do të iniciojë mocion për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të RTK-së./Periskopi
Redaktori Musliu tregon presionin që kishte nga Rilind Gërvalla për videon e Radojçiqit
Lajmi shpifës i RTK-së ndaj Periskopit, emërohet një komision ad-hoc