Dy fjalë për terrorin

Dy fjalë për terrorin

 

Terrori nuk është thjesht diçka të cilën e refuzojmë dhe i frikësohemi. Pas së gjithash, ai është diçka që na joshë. Terrori është një ngucje e domosdoshme, një element i rëndësishëm artistik (dhe jo vetëm). Po aq i pëlqyer sa seksi. Një mënyrë tjetër për të marrë frymë.

Rrallëkund nuk sheh seks dhe rrallëkund nuk sheh vrasje, plagë e dhunë. Në serialin popullor “Game of Thrones” personazhi mizor Ramsey Bolton e ka fituar një simpati të jashtëzakonshme te shikuesit, për shkak të mizorive që i ka kryer. Ramsey e vret babain, ua hedhë qenve të tij vëllain e sapolindur, e përdhunon gruan, e të tjera e të tjera. Dhe kjo pëlqehet masivisht!

Në lajmet e pardjeshme në KTV që iu kushtuan terrorit në Stamboll, u shfaqën pamje lemeritëse… bomba shpërthehej dhe ti shihje njerëz (jo personazhe) duke vdekur. Shihje zjarrin e një bombe tjetër që hidhte në erë dhe i shkrumbonte viktimat. Shihje vdekjen. Terrori ishte i bukur, joshës, argëtues. Por e keqja është se, ishte i vërtetë. Nuk ishte film. Fillimisht prezentuesi tha se ishin vrarë të paktën 10 njerëz. Pas njëfarë kohe me një entuziazëm të madh tregoi se ishin vrarë të paktën 28. “Të paktën” e bënte shfaqjen edhe më premtuese sepse thoshte ndryshe “do të ketë më shumë, më shumë!” Pastaj, kur shfaqja po bëhej bajate sepse po ripërsëriteshin të njëjtat fjalë, u dha një shifër e pakonfirmuar ku thuhej se kishin vdekur të paktën 50 njerëz.

Terrori ekziston edhe në librat e shenjtë. Për shembull, në Ferrin famëlartë ferrtarët digjen si drutë. Sapo mbaron lëkura e parë, iu vendoset një tjetër, e pastaj një tjetër deri në pambarim. Digjen e digjen e digjen! Ky përshkrim mahnitës i dhimbjes së përjetshme gjendet në kuran. Një metaforë e bukur për jetën e këtushme!

Fati i njeriut është tragjik, në thelb. Ai e ka të shkruar të vdes. Por edhe jeta nuk shkoqet nga dhimbja, kotësia, pakuptimi… rrëshqitja e çdo gëzimi drejt monotonisë.

Sidomos sot dhe sidomos në vendet me mirëqenie shumë të lartë ka pllakosur një depresion i tmerrshëm, një melankoli e pafund. Në filmin melankolik të Von Trier, toka goditet dhe shkatërrohet nga një planet me emrin Melankolia. Terror se jo mahi! Në themel, të gjitha dëshirat, mësymjet, mundësitë, lumturitë  dhe përparimet e përbëjnë atëfarë shtjellën që shërben si lëkura e trupit në ferr, për t’u djegur, e për të na dhënë dhimbje përvëluese.

Camus e shihte revoltën metafizike si një përgjigjje ndaj këtij fati tragjik. Përvijim i pashmangshëm i kësaj revolte metafizike në fakt, është edhe dëshirimi i pavetdijshëm i terrorit.

Përtej fatit themelor tragjik, njeriu përballet edhe me fatin e ndodhjes në një shoqëri të caktuar, në një rrethanë të caktuar politike, ekonomike e kulturore. Edhe kjo poashtu prodhon revoltë dhe dëshirë për terror, sidomos në situata të skajshme si ajo në Siri, Irak apo edhe Egjipt e vende tjera. Unë nuk e mendoj ISIS-in si një mishërim të dreqit në tokë. Poashtu, unë nuk i shoh arabët si njerëz me prirje dhune e as islamin si një fe që bën thirrje për dhunë. Gjithçka është prodhim i rrethanave të caktuara. Nuk mund ta mohojmë që janë 15% të muslimanëve që besojnë në një islam të skajshëm e të dhunshëm por s’mund ta mohojmë as që 85% të tjerë janë të padhunshëm e liberalë.

Deklarata e Edi Ramës se “ata që sulmuan nuk kanë zot” është në fakt mjaft hipokrite. Ajo i shërben debatit shurdhues për islamin dhe terrorin. Duke dashur t’iu bëj nder muslimanëve duke thënë që “zoti i tyre është i urtë e dashamirës” ai participon në një debat krejtësisht të pakuptimtë që meriton shpërfillje.

Ka njerëz që pa kurrfarë kauze vrasin në plot skuta të vendeve Perëndimore. Kujtoni për shembull, masakrat nëpër shkolla të Shteteve të Bashkuara. Pastaj kujtojeni edhe pilotin gjerman Andreas Lubeck (nuk jam fort i sigurtë për emrin) i cili vitin e kaluar i çoi drejt vdekjes dyqind njerëz duke e rrëzuar ajroplanin në Francë. Dyqind! Pse? Ai nuk kishte asnjë kauzë, nuk kishte asnjë qëllim… vetëm se, jeta i dukej e pakuptimtë, e kotë, e neveritshme. Mos t’i harrojmë pastaj, mizoritë e ushtarëve amerikanë në Irak. Videot që i kemi parë prej vitit 2003 e tekëndej janë të tmerrshme… bile aq të tmerrshme sa nuk përshkruhen. Kinematografia ndërkohë është e pushtuar nga filmat për fundin e botës, si ai i Von Trier, ose në mënyra tjera edhe më terrorizuese. Terrori është bërë një mall shumë i konsumuar. Njerëzit duan të terrorizohen dhe të terrorizojnë. Kjo është e vërteta!

Ky dëshirim për terrorin është i pranishëm te çdo njeri i kësaj bote. Natyrisht, dëshirimi mbetet i përfshehur dhe nxjerr krye në rastin më të mirë përmes artit, filmave e muzikës, por gjithashtu riprodhohet dhe degjeneron pikërisht në dhunë përmes mënyrave të ndryshme nga rrethana të caktuara shtypëse, dhunuese, sistematikisht dhunuese.

Kosova për shembull, është një vend që i përngjan koxha shumë ferrit. Duke qenë se perspektiva është vjedhur, se mjetet e prodhimit janë shndërruar në mjete pordhimi për zotëruesit, duke qenë se jemi ngulfatur në njëfarë korrupsioni të tmerrshëm, atëherë natyrshëm, dëshira e pavetdijshme për terror rritet.

Është e trishtë të shohësh një ferr si Kosova, ku në vend të prodhimit e zhvillimit ka pordhim e mbrapakthim, të jetë aq e dhënë pas paqes së pakusht. Terrori është një mjet shumë i rëndësishëm politik. Edhe vendet që e propagandojnë paqen, në fakt shpesh kanë nxitur luftëra ose i kanë ndihmuar ato. Pra, e kanë ndihmuar terrorin. Unë nuk besoj që Kosova do të çlirohej pa luftë më 1999! Poashtu, unë nuk besoj që do të ishte mirë sikur Opozita në muajt e fundit të ishte thellësisht paqësore e demokratike.

Unë nuk po them që të bëhemi terroristë. Ajo që po e them është se nuk mund të jemi pakusht e pafund paqësor. Në atë rast jemi budallenj. Terrori është krejtësisht njerëzor. Është shumë e rëndësishme të ndërtohet një pikëshikim për terrorizmin dhe terroristët me këtë dritë. Ndryshe, llomotisim palidhje e ia fusim kot!

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndaje në: