Dy fjalë për fitoren e Shpend Ahmetit në Prishtinë
Pardje u konfirmu fitorja e Shpend Ahmetit në Prishtinë. Por, kjo nuk ishte fitorja që pritej. Publikisht kam thënë që nuk pres një fitore më të vogël se 10%. Prandaj, rezultati mosvet i ngushtë e bën fitoren të vogël e të zbehtë, e cila shikuar nga një perspektivë më e gjerë, del humbje.
Personalisht, unë i gëzohem fitores së Shpend Ahmetit. Sepse, publikisht dhe privatisht pata lobu edhe në zgjedhjet e 2013-s, dhe edhe në këto zgjedhje që të votohej ky kandidat. Ama, unë e refuzoj logjikën e një tifozi, e prandaj mendoj se duhet të shqyrtojmë pak më imtësisht rrethanën e krijuar.
E para e punës, Vetëvendosje ka bërë investime tepër strategjike në Prishtinë – në relacion me përfitimet politike. Rritja e transparencës nuk është domosdo një gjë e mirë për qytetarët. Por, Shpendi e ka shfrytëzuar kërkesën për transparencë – dhe lëngimin qytetar për moslejim të çfarëdo keqpërdorimi – në mënyrë që të rriste mbështetjen për vete. Poashtu, një efekt tjetër i rëndësishëm elektoral i transparencës, është edhe fabrikimi i idesë se ai vetë, bashkë me stafin e tij, nuk është e nuk mund të jetë i korruptuar. Domethënë, ai i ka larguar edhe dyshimet për një gjë të tillë duke qenë një fitimtar i madh në këtë aspekt.
Por, çfarë e mire i vjen qytetarëve nga kjo rritje e transparencës? Po, ata do t’i shohin kontratat që bën komuna, por në anën tjetër, kjo në vetvete nuk nënkupton një ndalim automatik keqpërdorimesh. Përkundrazi, kjo vetëm sa mund t’i sofistikojë ato. Dhe, është e qartë se keqpërdorimet sajohen në ‘hapësira private’. Në kafene, restorante apo edhe në jahte. Komuna, ashtu si asnjë institucion tjetër, nuk e qet në publik një kontratë inkriminuese – kjo nuk do të kishte kuptim. E sidoqoftë, qytetarët më shumë se për një politikë transparente, kanë nevojë për një politikë që kryen punë, qoftë edhe duke i përlyer duart. Transparenca nuk përkthehet me automatizëm në ardhjen e gjërave të mira për qytetarët. Përkundrazi, ajo e shantazhon zhvillimin. Ose të jetë i dukshëm, e në atë dukje të jetë i rregullt, ose të mos ekzistojë fare.
Investime të tjera strategjike ishin edhe kunjat e vendosura nëpër trotuare, në kohën sa Prishtina ende vuan nga mungesa e parkingjeve. Pastaj, edhe ndriçimi i rrugëve dhe ofrimi i shërbimeve më të shpejta administrative. Pastaj, këndi i leximit e të ngjashme. Natyrisht, nuk është se qytetarët nuk do të përfitojnë nga këto gjëra. Praktikisht, është e pamundur të bësh diçka, sado e keqe qoftë në politikë, e prej të cilës të mos përfitonte askush në asnjë formë. Politikanët nuk mund të dalin nga thelbi i tyre: shërbëtorë të qytetarëve. Ata mund të bëjnë keq punën e tyre, mund të vjedhin, ose mund të punojnë gjithë kohën që të duken se po punojnë – e prapseprapë mbesin shërbëtorë. Sidomos, politikanët e nivelit lokal.
Kjo punë e bërë nga Vetëvendosje në Prishtinë, nuk është diçka e re. Përkundrazi, ajo daton qysh në fillet e qeverisjeve vendore në Kosovë. Të gjithë, pa përjashtim, kanë punuar në një aspekt të vetëm: që të duket se po punojnë. Relacioni me publikun u promovua si një gjë më e rëndësishme se vetë relacioni me punën që e bënin. Shitja e produktit u bë më e rëndësishme se vetë produkti.
Mund t’iu duket e çuditshme, por unë sinqerisht mendoj që në Kosovë kishte më shumë transparencë se që duhej. E transparenca, marrëdhënja me publikun, e dëmton rëndë zhvillimin. Sepse zhvillimi ka rregullat e tij, të cilat pengohen nga ndërhyrjet arbitrare në të, dhe nga interpretimet që i bëhen. Amerikën nuk e kanë zhvillu ekonomikisht as gazetarët hulumtues, e as analistët, e as kritikët – por ndërmarrësit, bile, ata më të mëdhenjtë e më dallaverxhinjtë, të tillë si Carnegie e Rockefeller.
Këtu çalon Vetëvendosje, njësoj si partitë e tjera në Kosovë. Parakuptimi i qytetarëve si vlerësues kredibil i problemeve të tij – është një gabim i madh. Vetëvendosje bile ka organizuar edhe tubime me qytetarë të lagjeve për t’i diskutuar problemet e tyre, dhe për t’i dëgjuar propozimet e tyre për zgjidhjet e mundshme. T’i ftosh qytetarët në bashkëqeverisje nënkupton të heqësh shërbimin nga vetja. Të mos kesh ide e forcë për t’i shtyer gjërat përpara.
Nevoja e një politikani për të qenë i mbikëqyrur nga publiku i kallzon para së gjithash, mangësitë e tij. Politikani duhet të bëj punën pa pritur vazhdimisht afirmimin e publikut, e duartrokitjet e tifozëve. Ky nuk është sport. Ndërkohë, keqpërdorimet nuk janë detyrimisht ‘të këqija’. Në sistemet liberale, një ekonomizim i mirë i tyre i shërben zhvillimit.
***
Marrë parasysh që Vetëvendosje e përmbushi kërkesën e natyrshme shoqërore për transparencë e pjesëmarrje, dhe marrë parasysh makinerinë efektive për t’i reklamuar punët e saj – fitorja e ngushtë në këto zgjedhje bëhet problematike. Ajo imponon qasje tjetër në qeverisje. Jo qasjen e të qenët në shantazh nga qytetarët, dhe për të suspenduar zhvillimin. Shpend Ahmeti nuk do të fitojë më, nëse nuk arrin të shtyej përpara punët në asamblenë komunale, dhe nëse nuk bëhen investime të mëdha. Qytetarët janë hipokritë: në një anë duan transparencë, por në tjetrën duan edhe zhvillim pavarësisht arsyetimeve.
Politika ka të bëj me imazhet, e vërtetë, mirëpo imazhet nuk janë të mbyllura e të palëvizshme. Ato qarkullojnë përditë mes nesh, rravgohen, prishen, rivijëzohen. Shpendi duhet të jetë më i përkushtuar ndaj interesit qytetar, jo ashtu siç e percepton aktualisht, por ashtu siç do ta perceptonte pas njëzet vitesh. Dhe, tashmë që fitoren e ka në dorë duhet ta kuptojë se transparenca e ndalja e keqpërdorimeve, nuk është diçka e cila i bën njerëzit të mbahen në mend. Në sistemet liberale nuk ka nevojë për inkuizitorë. Në sistemet liberale ka nevojë për njerëz kreativë e zhvillues, që po, arrijnë t’i sjellin në një qytet me parakushtet e Prishtinës, për katër vjet, afërsisht 1 miliard euro investime.
Ndërkohë, ajo që bëri Yll Hoxha dje, është simptomë e një sëmundjeje të rëndë të pushtetit në Prishtinë. Në vend se të ishte krejtësisht jokomunikuese me agjentët e pushtetit qëndror, më nuk po hezitohet që të ndërtohet komunikimi më i ulët i mundshëm. Praktikisht, veprimi i tij e legjitimon sharjen e vrazhdë që i kishte drejtuar kryetari i kuvendit Veseli deputetes Albulena Haxhiu “Ma hongsh k…” E ky komunikim ndërkohë, është simptomë e diçkaje tjetër: e një thelbi që po prishet, e që rrezikon ta bëj Vetëvendosjen një parti të ngjashme me partitë e tjera.
Shpendi ishte më kreativ se kandidatët e tjerë. Ishte kollaj e vërejtshme se ai ishte më i afti mes alternativave që kishin qytetarët e Prishtinës. Por, pas katër vitesh atij do t’i bëhen tetë në qeverisje, dhe kjo formë qeverisëse që e kufizon dhe pengon kreativitetin, do t’i bëj dëme shumë të mëdha atij dhe Prishtinës.