Dy ditë para zgjedhjeve, jepet tenderi 32 milionë euro për banimin e përballueshëm

Dy ditë para zgjedhjeve, jepet tenderi 32 milionë euro për banimin e përballueshëm

Katër konsorciume dhe një kompani si e vetme i kanë fituar shtatë kontrata në vlerë rreth 32 milionë euro për ndërtimin e banesave të banimit të përballueshëm dhe social, të cilat financohen nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Katër konsorciumet dhe kompania që fitoi si e vetme dy nga shtatë llotet, u përzgjodhën në mesin e nëntë ofertuesve, tha Ministria e Mjedisit të premten.

Kontrata pritet të nënshkruhen sot, dy ditë para zgjedhjeve nacionale të 9 shkurtit, raporton Paparaci.

Projekti i banimit të përballueshëm dhe social është një projekt i premtuar nga Lëvizja Vetëvendosje në fushatën zgjedhore të vitit 2021. Ai nuk arriti të jetësohet në mandatin katër vjeçar të qeverisjes.

Ministria njoftoi sot se i ka përzgjedhur konsorciumet dhe kompanitë për ndërtimin e komplekseve banesore në katër komuna: Podujevë, Pejë, Istog dhe Gjilan.

Llotin e parë të tenderit për ndërtimin e një kompleksi banesor në Podujevë, e ka fituar konsorciumi i kryesuar nga Froni 1 Sh.p.k., një kompani me bazë në Prishtinë. Ky konsorcium kompletohet edhe nga dy kompanitë e tjera ndërtimore: Vëllezërit Asllani Sh.p.k dhe Aktiv Sh.p.k.

Vlera e kontratës është 5.8 milionë euro.

Llotin e dytë, po ashtu për ndërtimin e një tjetër kompleksi banesor në Podujevë, e ka fituar konsorciumi lokal Rinesa Sh.p.k, Ileaa – GR Sh.p.k dhe Limitproject Sh.p.k.

Kompania udhëheqëse e konsorciumit është e bazuar në Bajicë të Podujevës.

Vlera e llotit të dytë të tenderit të përzgjedhur peshon 7.7 milionë euro.

Dy komplekse të tjera banesore do të ndërtohen në Komunën e Pejës, tregojnë llotet 3 dhe 4 të tenderit.

Llotin e tretë e ka fituar konscorciumi privat që kryesohet nga D&T Group, një kompani ndërtimore me bazë në Gjakovë. Osmani Construction dhe Jeton Bakalli e kompletojnë konsorciumin.

Vlera e këtij lloti është 4.8 milionë euro.

Llotin e katërt të tenderit e ka përfituar konsorciumi Ada Consulting Group Sh.p.k dhe SHM Archiceture.

Ky konsorcium do të ndërtojë një kompleks banesor në Pejë në vlerë 5.2 milionë euro, bazuar në njoftimin e Ministrisë së Mjedisit.

Dy objekte të tjera do të ndërtohen në Komunën e Istogut. Të dy kontratat e ndara për banesat në Istog i ka fituar kompania me bazë në Skenderaj, R & Rukolli.

Vlera e dy lloteve për të cilat u përzgjodh fituese R & Rukolli, peshon afër pesë milionë euro.

Lloti i shtatë, për ndërtimin e një kompleksi banesor në Gjilan i është dhënë konsorciumit të kryesuar nga Rinesa Sh.p.k, i përbërë edhe nga Ileaa – GR Sh.p.k. dhe Limitproject Sh.p.k.

Vlera e këtij lloti është 3.6 milionë euro.

 

 

Projekti i banimit të përballueshëm bazohet në Projektligjin për Banim Social dhe të Përballueshëm, i cili u miratua në Kuvendin e Kosovës në dhjetor të vitit të kaluar, në fund të mandatit të Qeverisë Kurti 2.

Sipas Projektligjit, grupet e synuara të banimit social dhe të përballueshëm përfshijnë: familja apo individi me gjendje jo të mirë ekonomike, familjet e mëdha me shumë fëmijë dhe familjet me një prind.

Në këtë grup hyjnë edhe të papunët, të pastrehët, viktimat e dhunës në familje, viktimat e trafikimit me qenie njerëzore, gratë dhe burrat viktima të luftës, familjet e dëshmorëve, të të zhdurkve të UÇK’së, invalidtët e UÇK-së të cilët janë në gjendje të rëndë ekonomike, invalidët civil të luftës dhe familjet e ngushta të viktimave civile të luftës, zhdukurve, viktimat e trafikimit, të rinjtë, të moshuarit, personat me nevoja të veçanta, refugjatët dhe azilkërkërkuesit.

“Banimi social konsiderohet i përballueshëm nëse familja apo individi nuk shpenzon më shumë se tridhjetë për qind (30%) të të ardhurat mujore neto për banim”, parashihet me paragrafin 1 të Nenit 6.

Në paragrafin 3 të këtij Ligji, thuhet se në shpenzimet e banimit nuk përfshihen shpenzimet për shërbime të furnizimit me ujë, energji elektrike, dhe shërbimet tjera bazë.

Shpërndaje në: