DW: Stacionimi i armëve amerikane në Gjermani – i kontestuar
Armët amerikane me rreze të mesme veprimi priten të vendosen në Gjermani në vitin 2026. Por vendimi i kancelarit Scholz vazhdon të shkaktojë pakënaqësi. Si politikanët edhe ekspertët bëjnë thirrje për debat më të gjerë.
Një vendim i qeverisë që është me ndikim të gjerë në disa aspekte në Gjermani si ai i vendosjes së raketave të reja amerikane me rreze të mesme veprimi e armëve të tjera ka shkaktuar debate të mëdha. Deputeti i majtë i Bundestagut, Dietmar Bartsch e quan atë “monstruozitet”, mënyrën si u mor dhe u komunikua vendimi. Grupi i tij parlamentar në Bundestag dëshiron që të anulohet marrëveshja midis Gjermanisë dhe SHBA-së. Kjo nuk ka gjasa të ndodhë, por që kur kancelari i SPD, Olaf Scholz njoftoi stacionimin e tyre në margjinat e samitit të NATO-s në Uashington në mes të korrikut, nisi një debat për sigurinë me frikëra të ndryshme e shqetësime. Ndryshe nga sa pretendonte Scholz në atë kohë, vendimi erdhi si befasi edhe për shumë vëzhgues. Edhe sepse nuk ishte diskutuar as brenda NATO-s.
Opinione të ndara brenda gjermanëve
Në trendin aktual të ARD-së në Gjermani nga dimap infratest, 45 përqind e të anketuarve janë kundër stacionimit të armëve amerikane dhe vetëm 40 përqind janë pro. Në Gjermaninë Lindore, ku armët nuk lejohen të vendosen për shkak të Traktatit Dy Plus Katër, refuzimi është më i lartë, deri në 57 për qind. Sondazhet nga institutet e tjera kanë paraqitur një pamje të ngjashme që nga korriku. Scholz i ishte referuar armatimit rus që nga fillimi i sulmit në Ukrainë dhe tha se Gjermania duhej të “siguronte aftësinë e saj kërcënuese”.
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius foli gjithashtu për një “hendek serioz të aftësisë” që duhej mbyllur. Tre sistemet e armëve që do të vendosen në vitin 2026 mund të arrijnë deri në Rusi. Disa prej tyre mund të pajisen me armë bërthamore, por ato duhet të përdoren vetëm në mënyrë konvencionale. Kancelari deri më tani ka hequr dorë nga një deklaratë qeveritare apo diçka e ngjashme.
Ndërkohë, kritikat ndaj planeve të stacionimit dëgjohen edhe në partinë e kancelarit, SPD. Kreu i grupit parlamentar Rolf Mützenich paralajmëron nga rreziku i përshkallëzimit të paqëllimshëm ushtarak. Kryeministri i Brandenburgut Dietmar Woidke po bën thirrje për një diskutim më të gjerë. Dhe deputeti i krahut të majtë brenda SPD, Ralf Stegner foli qartë kundër planeve të raketave në një demonstrim më të madh kundër luftës në Berlin më 3 tetor. E njëjta kërkesë u përfaqësua edhe nga drejtuesja e Aleancës së re të majtë, Sahra Wagenknecht dhe deputetja e majtë Gesine Lötzsch.
“I komunikuar në mënyrë katastrofike”
Studiuesi i protestave, Alexander Leistner nga Universiteti i Lajpcigut i cili hulumton lëvizjen pacifiste thotë se vendimi për stacionimin e armëve amerikane u “komunikua në mënyrë katastrofike”. Që atëherë, diskutimi nuk u zhvillua si duhet. Shpesh humbasin aspekte të caktuara, si psh, ndryshe nga vitet 1980, kur u mor vendimi i dyfishtë i diskutueshëm i NATO-s, armët për të cilat bëhet fjalë tani nuk janë armë bërthamore. Këtu përplasen “perspektiva interpretimi” të ndryshme . “Disa e shohin Rusinë si një kërcënim për Evropën, të tjerë shohin një luftë përfaqësuese në Ukrainë që kërcënon të përshkallëzohet si rezultat i dislokimit”, tha Leistner. Në mes të dy pozicioneve ka shumë frikë të përhapur.
Disa tani do të përpiqeshin “të përshkallëzonin gjithçka në një çështje lufte ose paqeje”. Në të njëjtën kohë, thekson Leistner ekspertizat e politikës së paqes kanë kaluar në vend të dytë përballë ekspertizave të politikës së sigurisë. Edhe protestat e deritanishme janë ende shumë larg mobilizimeve kundër vendimit të dyfishtë të NATO-s ose si kundër luftës në Irak në 2003. Në atë kohë, disa qindra mijëra njerëz demonstruan në Bon dhe Berlin. Leistner beson se çështja e raketave do të dalë më në pah deri në kohën e zgjedhjeve federale dhe të paktën politikanja e majtë, Sahra Wagenknecht do ta përdorë këtë.
Aleanca e Wagenknecht deri më tani ka ndjekur një strategji të dyfishtë. Në nivel federal, kjo parti e majtë bën thirrje për një referendum. Në Saksoni, Tyringi dhe Brandenburg ajo po e bën refuzimin e planeve të stacionimit si kusht për koalicione të mundshme. Raketat paraqesin një “rrezik masiv për popullatën”, tha deputetja e Bundestagut, Sevim Dagdelen.
Çfarë flet pro dhe kundër stacionimit
Përkrahësit e stacionimit kritikojnë se në debatin që zhvillohet po përdoren me qëllim gjysmë të vërtetat për debat. Demokracia dhe shteti i së drejtës padyshim duhet që të “mbrohen”, shprehet deputeti i SPD-së, Falko Droßmann. Edhe partneri i koalicionit FDP bëri një deklaratë të ngjashme. Vendosja e armëve amerikane konsideroht kryesisht si një reagim ndaj raketave ruse me rreze të shkurtër që u stacionuan në enklavën ruse të Kaliningradit që nga viti 2018. Nga atje, sistemet e pajisura me armë bërthamore mund të arrijnë pothuajse në të gjithë Poloninë, pjesë të Balltikut dhe Gjermanisë.
Më kritik është ish-koloneli Wolfgang Richter. Eksperti i sigurisë e vuri në pikëpyetje vendosjen e planifikuar të armëve amerikane që herët dhe theksoi se Gjermania do të “singularizohet” nga marrëveshja e njëanshme me SHBA, pasi partnerët e tjerë evropianë nuk i ndajnë rreziqet e vendosjes. Richter gjithashtu dyshon se ka një hendek të aftësisë ushtarake. NATO mund të sulmojë objektivat në Rusi që sot. Megjithatë, raketat e reja do të reduktonin ndjeshëm kohën e paralajmërimit. Kjo do ta ndryshonte “ekuilibrin strategjik midis SHBA-së dhe Rusisë”. Me fjalë të tjera kërcënon destabiliteti, sipas Richter.
Kështu vendimi i qeverisë federale gjerman në favor të stacionimit të raketave prek një popullsi që është qartazi e përkushtuar ndaj aleancës së NATO-s në sondazhe. Por në të njëjtën koha frika nga lufta po rritet./DW/