Dush i ftohtë nga kancelari Kurz

Fatmir Salihu Letra

Kancelari i Austrisë foli me plotë gojën, pa ekuivokë dhe me shumë transparencë – me qartë se kaq nuk bëhet.

Pa fraza dhe pa fjali të zakonshme të zhargonit diplomatik. Ai tregoi qartë se Austria ka ndryshuar qëndrim – dje kancelari Kurz luajti rolin e postës së porositur. Mesazhet e Beogradit i përcolli në Prishtinë.

Kjo është e dhimbshme por të paktën tani kemi të njohur qëndrimin e tij. Në të ardhmen nuk mund dhe nuk duhet të befasohemi.

Është e qartë se Austria është për ndarjen e Kosovës, kundër liberalizimit të vizave dhe kundër formimit të ushtrisë. Vështirë të gjendet ndonjë dallim i politikës aktuale austriake me atë ruse dhe serbe.

Deklaratat e tij duhet lexuar drejte dhe duhet të merren seriozisht.

Tani kuptohet se deklarata e mëhershme e zëvendëskancelarit të Austrisë, Heinz-Christian Strache nuk ka qenë e rastit dhe as që është bërë pa lejen paraprake të kancelarit Kurz.

Kujtojmë se Z. Heinz-Christian Strache kishte thënë se “çështja e Kosovës akoma nuk ka përfunduar”. Duket qartë se erëra e tjera tani po fryjnë nga një shtet mik i cili historikisht ka luajtur rol pozitiv në raport me Kosovën. Kjo dhemb!

Nëse për t’iu kundërvënë Kosovës është gjë e lehte, është për tu çuditur guximi i kancelarit Kurz për të dalë haptas kundër Kancelares Merkel.

Përderisa mbarëvajtja e takimit Thaçi – Kurz ka shkuar si është më së miri (s’ka si të jetë ndryshe!), shenjat tregojnë se takimi me Haradinajn ka pasur një tjetër dinamikë.

Nëse të tjerët kanë guximin ta bëjnë këtu në Prishtinë, atëherë edhe gjuha dhe retorika e përfaqësuesve tanë politike (cilët do qofshin ata) duhet të ndryshojë. Nuk kemi pse ta shtrijmë kokën më – nënçmimet duhet të ndalen.

Derisa kancelari Austriak na bëri të përjetojmë një dush të ftoftë, në Parlamentin e Kosovës vazhdon parada e aktorëve të devalvuar. Për shkak të kalkulimeve të tyre të pista politike ata nuk e votojnë dot as edhe një rezolute e cila të paktën do të mund të ndikonte në zmbrapsjen e Kurzit austriak dhe Kurzave tjerë nga ideja për sakatosjen e territorit të Kosovës.

Shpërndaje në: