Durmishi shpërblen dostat me dy tendera milionësh përbrenda dy ditëve
Bujar Shabani po vazhdon të pasurohet nën Qeverinë Kurti. Pa u pasuruar s’po ngelet as vëllai i tij, Sokol Shabani. Ministria e Hysen Durmishit ka ndarë dy tenderë përbrenda dy ditësh në vlera milionëshe për vëllezërit Shabani nga Ferizaj.
Durmishi s’e ka fshehur asnjëherë afërsinë që ka me Bujar Shabanin. Madje, edhe në konferencë për media ka thënë se e ka mik, raporton Insajderi.
Ministria e Infrastrukturës më 26 dhjetor të 2024-ës ndau 2,9 milionë euro tender për konserciumin ekonomik ‘Dio Bes SH.P.K’ dhe ‘EUROKOS HOLDING SH.P.K’. Tenderi kishte të bënte me rehabilitimin dhe asfaltimin e rrugës rajonale Shipashnicë-Desivjocë-Tërstenë.
Pronar i ‘Dio Bes SH.P.K’ është Sokol Shabani, vëllai i Bujar Shabanit.
Pasurimi i Sokol Shabanit nga Qeveria Kurti s’po kufizohet vetëm në këtë rrugë. Firma e tij në konsercium me ‘EUROKOS HOLDING SH.P.K’ ka ndarë tender në vlerë prej 8,3 milionë euro në ndërtimin e rrugës Prizren-Tetovë.
Vetëm një ditë më vonë pasi ia kishte ndarë afro tre milionë Sokolit, ministria e Durmishit ia ndau Bujar Shabanit në konsercium me EL-BAU’n mbi katër milionë euro. Pra, më 27 dhjetor të 2024-ës.
Këto para u ndanë për ndërtimin e segmentit Kishnicë-Bresalc në kuadër të autostradës së Gjilanit.
Bujar Shabani është “nderuar” shpesh nga ministria e Durmishit. Shabani i “Bageri Company” ka fituar kontrata të majme përgjatë qeverisjes aktuale. Një nga to ka qenë edhe për autostradën Prishtinë-Podujevë, në vlera milionëshe.
Ndonëse pa ndonjë procedurë publike tenderuese, ura vjet testohej nga kamionët e rëndë të “Bagerit”, pronari i së cilës është Bujar Shabani. Shabani njihet për miqësi me zëvendësministrin e Infrastrukturës, Hysen Durmishi.