Duraku për ikjen e infermierëve: Pagat janë turpëruese, fajtori kryesor është Arben Vitia

Duraku për ikjen e infermierëve: Pagat janë turpëruese, fajtori kryesor është Arben Vitia

Infermieri dhe anëtari i Kuvendit të Odës së Infermierëve të Kosovës, Enlirat Duraku tregon shkaqet e ikjes së infermierëve nga institucionet shëndetësore të Kosovës.

Duraku thotë se një ndër arsyet kryesore janë pagat, që siç i quan ai janë turpëruese, teksa nuk la pa kritikuar edhe ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.

“Paga turpëruese, pagesa e ndërrimeve të natës diskriminuese në krahasim me mjekët që marrin pagesë deri në 300€ gjatë vikendeve, përjashtimi i qëllimshëm nga Ligji i Pagave i infermierëve nga Arben Vitia. Injorimi si komunitet nga ministri i mjekëve, i cili edhe ka mbuluar konkurset publike të manipuluara në QKUK duke gënjyer publikisht se kinse nuk ka pasur informacione, përjashtimi i infermierëve nga strukturat udhëheqëse dhe menaxhuese,vendosja e militanteve partiak dhe dostave të ministrit në udhëheqje të SHSKUK/QKUK, urrejtja e komunitetit tim nga ky ministër dhe dostat e tij”, tha ai.

Duraku ka treguar edhe shkakun që e çoi deri tek dorëheqja nga vendi i punës në QKUK.
“Pas 22 viteve për shkak të trekëndëshit Vitia, Azizi dhe Hajdari si dhe injorimit të tyre për profesionistët e infermierisë, denigrimin personal dhe profesional të infermierëve e trajtimit sikurse skllevër, kam dhënë dorëheqje nga vendi i punës në QKUK, deri sa kur ky trekëndësh toksikë largohet apo shkarkohet”, tregon infermieri për GazetaBlic.

“Deri sot sipas OIK 300 infermierë kanë ikur, të cilët edhe kanë kërkuar licencat si kusht për t’i dorëzuar në ambasadat respektive dhe njohja e tyre nga vendet se ku janë pranuar”, përfundoi Enlirat Duraku.

Shpërndaje në: