Duka komenton shortin e Shqipërisë: Me të fortët bëhesh i fortë
Shqipëria njohu sot kundërshtarët e saj në Euro 2024: Italinë, Spanjën dhe Kroacinë.
Pas shortit foli edhe presidenti i Federatës shqiptare të futbollit, Armand Duka i cili e komentoi grupin e ‘ferrit’.
Për Dukën, skuadrat kundërshtare janë padyshim të mira, por ai vlerëson se edhe kombëtarja shqiptare është në një moment të mirë dhe siç shprehet “të luash me të fortët bëhesh më i fortë”.
Armand Duka: E para unë jam shumë i kënaqur që Shqipërinë e sollëm këtu në finalet e kampionatit europian. Të gjithë ishim të ndërgjegjshëm që kur vjen në një event të tillë padyshim që ka vështirësi.
Blendi Fevziu: Ama the s’duam Italinë, Italia të ra. Apo e kishe kështu si fëmijët që thonë s’dua këtë që ajo t’i bjerë…
Armand Duka: Italia, Spanja Kroacia janë skuadra shumë të mira, janë skuadra me histori, kampione Europe, por edhe ne jemi në një moment të mirë dhe besoj që do ta luajmë mirë Europianin dhe me të fortët bëhesh i fortë. Ndeshjen e parë luajmë me Italinë në Dortmund, ndeshjen e dytë me Kroacinë në Hamburg dhe ndeshjen e tretë kundër Spanjës në Duseldorf.
Blendi Fevziu: Të tre qytete të mbushura me shqiptarë.
Armand Duka: Në çdo stadium që do luajmë ne shqiptarët e mbështesin ekipin kombëtar siç e kanë mbështetur. Unë uroj që ta shijojmë këtë event të rëndësishëm, ta shijojnë çunat, ta shijojnë tifozët dhe pse jo të shkojmë më tej. Vërtetë është e vështirë, çdo grup është i vështirë… Vijmë në këtë kompeticion si fitues i grupit tonë, pra jemi skuadër e mirë.
Blendi Fevziu: Ajo që është për t’u theksuar se një ndeshje ndaj Italisë, Spanjës dhe Kroacisë merr shumë më tepër vëmendje sesa të luanim kundër Sllovakisë, Sllovenisë apo skuadrave të këtij lloji. Pastaj rezultati, e thashë edhe në fillim, me ekipet e mëdha kemi treguar më shumë, siç e treguam së fundmi. Patëm super ndeshje me Çekinë e Poloninë dhe ndeshjet më modeste me Moldavinë dhe Ishujt Faroe. Kështu që besoj kemi një lloj mundësie të tregojmë veten në fushë.
Ndërkohë, në një reagim në rrjetet sociale, Duka shkruajti se Shqipëria do të shkojë në Gjermani për të luajtur futboll dhe do të provojë të gjitha mundësitë e saj. “Kemi bërë një sezon të mrekullueshëm dhe jam i bindur që Shqipëria do të bëjë një paraqitje të jashtëzakonshme edhe në Gjermani vitin e ardhshëm”, theksoi kreu i FSHF.