Duka: Ishte grupi i vetëm që nuk doja, ja kur ndeshemi me Serbinë
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, dha komentin e tij për shortin e kualifikueseve të Botërorit, ku goglat vendosën përballë Kombëtaren kuqezi me Anglinë, Serbinë, Letoninë dhe Andorrën.
Në prononcimin e dhënë nga Zyrihu, Duka u shpreh: “E dija rregullin e shortin. Nuk jam shumë i kënaqur dhe i lumtur, me atë çfarë sollën goglat. Mund të ishim në ndonjë grup tjetër, nga të gjitha këndvështrimet do të ishim më mirë.
Pasi pashë skuadrat e para në grupe, ishe grupi që nuk doja nga të gjitha grupet. Nuk do të doja një përballje me Anglinë, nga ekipet më të forta. Duhet të përgatitemi edhe kundër Anglisë. Serbia është një kundërshtar me problemet sensitive të veta, uroj që në këto kualifikuese të mendojmë të gjithë vetëm për sport.
Andorra gjithashtu nuk më pëlqen, nuk është komod, duhet të udhëtosh nëpërmjet Barcelonës dhe 3 orë me autobus. Të shikojmë kalendarin, për kundërshtarët e marsit. Stafi t’i përgatisë ato, t’i përvishemi punës me këmbë në tokë. Të luftojmë për një biletë në Botëror. Duhet organizim perfekt dhe impenjim maksimal.
E takova para shortit presidenten e Federatës angleze, edhe i thashë që nuk dua të luajmë kundër jush. Është luks të luash në “Wembli” dhe vështirë të bësh rezultat.
Sfida e Federatës serbe është për ta organizuar sa më mirë, ndërsa jona për ta fituar atë ndeshjen. Ndeshja me Serbinë do të jetë në shtator, tetor apo nëntor.
Të shikojmë çfarë ndeshje do kemi në mars. Ne e kemi mbështetjen e tifozëve në çdo ndeshje. Tifozët po i presin me kënaqësi dhe dëshirë këto përballje. Janë forcë e shtuar për ekipin tonë. Të gjitha ndeshjet kanë 3 pikë, të gjitha janë të rëndësishme, jo vetëm Anglia”, u shpreh Duka për Klan News.