A duhet t’iu besojmë të gjitha grave
Qëkur Eva i dha Adamit frutin e ndaluar, demonizimi dhe mosbesimi ndaj grave ka qenë një politikë e përhapur në mbarë planetin. Nuk është nevoja të kthehemi në kohë për të parë të vërtetën e gjithë kësaj.
“Je veç një fëmijë,” akuzohet Roy Moore t’i ketë thënë Beverley Young Nelsonit kur ajo ishte 16 vjeç, derisa po e ngacmonte në veturën e tij. “Unë jam përfaqësuesi i distriktit të Etowah Country-t, dhe nëse i thua dikujt për këtë që po bëj, kot e ke sepse askush nuk do të të besoj.”
Gjërat kanë ndryshuar shumë që nga viti 1603, kur Shakespeare-i e paralajmëroi atë bisedë mes atij përfaqësuesi dhe të dhunuarës së tij. Në “Measure for Measure,” Angjelo, një zyrtar qeveritar që është ithtar i fuqishëm i kodit moral të shoqërisë, provoi që të shtynte një vajzë të re të quajtur Izabela, që t’ia jepte virgjëritetin atij në mënyrë që ta falte vëllain e saj, i cili e priste vdekjen për dhunimin e kodit që e ndalonte seksin jashtëmartesor.
Izabela e Shakespeare-it, thotë: “Do t’i them botës me zë të lartë/ Çfarë njeriu që je.”
Angjelo i përgjigjet: “Kush do të besoj ty, Izabelë? Emri im i panjollë, jeta ime e vështirë,/ Zëri im kundër zërit tënd, dhe vendi im është shteti,/I cili do ta shoh akuzën tënde të pabazë.”
Të mos e zgjasim.
Tash, papritmas, Mitch McConnell po thotë, “Unë besoj te gratë.”
Tash, papritmas, Chelsea Handler po i thotë Juanita Broaddrickut, “Unë besoj në ju.”
Kjo – pavarësisht, ose mbase bash për shkak të atij që ndodhet në krye të Zyrës Ovale – është një thyerje kulturore.
Shenja më e madhe e kësaj thyerje në jetën time ishin bisedat që kam bërë me shokët dhe familjen time. Ndërsa ne gratë, merremi me historitë tona seksuale, burrat që njoh – të vjetër e të rinj, liberalë e konservatorë – po e bëjnë të njëjtën nga një kënd tjetër. Një shok i vjetër konservator më tha që ai po mendonte t’i kërkonte falje një vajze me të cilën kishte dalur njëherë, e të cilën e kishte puthur në veturën e tij. Ajo nuk kishte thënë jo, e madje ia kishte kthyer puthjen. Por, ai po brengoset mos ajo ishte ndjerë në presion. Një shok i ngushtë, progresist, më tregoi poashtu një storje për të cilën i vie keq. Ai tash po hamendet se çka mendon gruaja me të cilën e kishte pasur përvojën e keqe në kolegj: Mos i ka lënë ndonjë traumë? Ose, mos është arrogante edhe të supozohet që ajo ia kujton thjesht emrin atij?
Këto hamendje kurrë nuk do të kishin ndodhur pa Gretchen Carlsonin dhe Lara Setrakianin, ose pa Selma Blairin dhe Rose McGowanin, ose edhe pa Kyle Godfrey-Ryanin dhe qindra të tjerë që i kanë raportuar rrëfimet e tyre. Ato meritojnë lëvdatën dhe mirënjohjen tonë.
A nuk është gjithë kjo përndjekje paksa qesharake? Nuk ka shans që ende pa e përfunduar ju së lexuari këtë artikull, ndonjë burrë të mos bëj diçka të tillë.
“Besoni në të gjitha gratë” – ka dhënë njesinë e një ndreqjeje jetëdhënëse të një padrejtësie historike. U duk si një përgjigjje e arsyeshme ndaj një sistemi në të cilin krimet që u kryen kundër grave – aq intime, poshtëruese si asnjë tjetër – ishte tepër e zorshme të provoheshin.
Por nuk mund ta ndalë ndjesinë tjetër që më thotë se kjo gjë do të hapë probleme të tmerrshme të reja si përgjigjje ndaj problemeve të vjetra.
Në më pak se dy muaj kemi kaluar nga akuzat e zbuluara kundër sjelljeve kriminale të Harvey Weinstein në kriminalizimin e sjelljes që më parë e merrnim thjesht si të vrazhdë dhe arrogante [Glen Thrush]. Në një klimë në të cilën zakonet seksuale po transformohen shumë shpejt, shumë burra po pyesin: Nëse unë akuzohem gabimisht, kush do të më besojë?
E di përgjigjjen të cilën shumë gra do ta jepnin – ose po e japin: Mirë. Friksohu. Ne ishim të frikësuara gjithë kohën. Është radha juaj për netë pa gjum. Ato do t’iu thonë: nëse disa njerëz të pafajshëm bien poshtë në përpjekjet për të rrëzuar patriarkalitetin, kështu qoftë.
Emily Lindin, një kolumniste në Teen Vogue, e përmblodhi këtë këndvështrim në mënyrë koncize javën e kaluar në Twitter. “Në fakt unë nuk jam aq e shqetësuar për burrat e pafajshëm që po i humbin punët e tyre shkaku i akuzave fallse për ngacmime ose fyerje seksuale,” shkruajti ajo. “Nëse reputacioni i disa burrave të pafajshëm duhet të bie përgjatë procesit të zhbërjes së patriarkalitetit, atëherë ky është çmimi të cilin unë jam plotësisht e gatshme ta paguaj.”
Zonja Lindin u kritikua ashpër, por të themi këtë gjë për të: të paktën ajo kishte këllqe t’i artikulonte publikisht pikëpamjet e saj me të cilat shumë gra pajtohen kur flasin privatisht. Një numri shumë të madh grash të pafajshme, shoqe të miat, pyesin se pse po agonizohemi rreth mundësisë që shumë njerëz të mirë të bëhen viktima të pafajshme të gjithë kësaj pune?
Mendoj se brenga është e justifikueshme. Dhe nuk është se nuk ndjej impulsin për të rrëzuar gjithçka për toke. Është se unë mendoj që “të besuarit e të gjitha grave” mund shpejt të shndërrohet në një ideologji ortodokse e cila nuk do t’iu shërbej grave aspak. Siç na kanë treguar javët e fundit horroret e tmerrshme me të cilat përballen gratë, përgjigjja për to nuk mund të jetë një solidaritet i ri e i rreptë që do ta kufizonte më tej definicionin e gruas dhe që i dëmton përvojat krejt të ndryshme thjesht që bazohen në gjininë tonë. Nuk mendoj se kjo i ndihmon gratë. Ose burrat.
Besoj që vizioni feminist “për besimin e të gjitha grave” paqëllimshëm e fetishizon gruan. Gratë nuk konsiderohen më njerëzore dhe të papërsosura. Ato personifikohen si e Vërteta vetë. Ato janë përtej çdo qortimi.
Mendoj se është injorante të mendosh që gratë dhe pretendimet që bëjnë nuk mund t’i bëjnë ballë vënjes në pyetje dhe nuk mund të përballojnë as dyshimet. Besoj që faktet iu shërbejnë shumë më shumë feministeve sesa besimi. Është më mirë me anë të procesit se me rregullat e turmës.
Ndoshta do të ndodh nesër, ose ndoshta javën e ardhshme ose ndoshta muajin e ardhshëm. Por, momenti i Duke lacrosse, momenti i Roling Stone do të vijë. Akuzat e grave do të dalin se janë shumë të ekzagjëruara ose thjesht të pavërteta. Dhe nëse parimi qeverisës i kësaj lëvizjeje është ende në çështjen e besimit, shumë njerëz do ta humbin këtë religjion. Do t’i hedhin poshtë të gjitha akuzueset si fallse. Dhe do të kthehemi në status quo-në në të cilën fjala e Angjelos është më e vlefshme se fjala e vërtetë e Izabelës.
Ka kufizime në qëndrimin e “besimit të të gjitha grave”. Tashmë kemi nisur t’i shohim ato.
Vetëm dje, Tha Washington Post raportoi që një grua e quajtur Jaime Phillips e shkroi një letër për të kallëzuar rreth Roy Moore. Ajo pretendonte që në vitin 1992, kur ishte 15 vjeçare, ai e la shtatzënë dhe pastaj e çoi në Mississipi që të kryente abort. Asnjë pjesë e kallëzimit të saj nuk është e vërtetë.
Duket që zonja Phillips po bashkëpunonte me Projektin Veritas, një organizatë që përpiqet të ekspozojë paragjykimet e mediave ‘mainstream’ përmes operacioneve të fshehura, dhe që qëllimi i grupit ishte të poshtëronte gazetën The Washington Post – dhe, poashtu, të diskreditonte akuzuesit e tjerë të zt.Moore.
Misioni dështoi në mënyrë spektakulare, falë profesionalizmit të reporterëve të Postit, por është e qartë se Projekti Veritas po e shfrytëzonte atë moment. Poashtu nuk është e zorshme të imagjinohet sesi ky episod do ta kishte dëmtuar zonjën Phillips nëse ajo do t’i bënte publike akuzat e saj, të themi, në Twitter. Ose nëse do t’ia jepte kallëzimin e saj organizatave tjera të lajmeve. Në këtë klimë, do të kishte marrë zjarr.
Kjo është saktësisht ajo që ndodhi, të paktën me median e së djathtës, në rastin e akuzueses së Al Frankenit, Melanie Morgan. Tashmë ka shumë gra të cilat e kanë akuzuar Senatorin Franken për ngacmim, por në ditët menjëherë pas akuzave të Leanne Tweeden, Zonja Morgan, një folëse në radio, pretendoi që edhe ajo ishte ngacmuar nga Senatori në fjalë pas një paraqitjeje në vitin 2000 në “Politikisht jokorrekt” [Politically Incorrect] të Bill Maher. Interneti thjesht doli me faktin që edhe një tjetër grua e kishte akuzuar zotin Franken. Pa konfirmim pa asgjë.
Breitbart dhe Laura Ingraham bashkë me Rush Limbaugh e paraqitën kallëzimin e saj menjëherë. Melanie Morgan e kishte lëvduar storjen e Sean Hannityt për kërkimin ngulmues të së vërtetës në rastin e akuzave seksuale ndaj Roy Moore. Melanie Morgan kishte thënë që Bill O’Reilly ishte pushuar nga puna për “arsye të dyshimtë.” Melanie Morgan kishte qenë ndër të tjerë që e kishin përhapur teorinë e konspiracionit sipas të cilit presidenti Obama nuk ishte lindur në ShBA e prandaj nuk kishte të drejtë të ishte President.
Ajo poashtu pretendon që zoti Franken e kishte frikësuar tmerrësisht… sepse e kishte thirrur tri herë në telefon. A besoni që zoti Franken e ka përgjuar zonjën Morgan? Unë jo.
Zelli i “besimit të të gjitha grave” mund të heqë edhe një rrugë të çuditshme, në të cilën gratë mësohen sesi të kuptojnë të kaluarën e tyre. Të njëjtin vit që zonja Morgan ngreu pretendimet e saj, Arianna Huffington e bëri një foto për The New York Post ku paraqitet Fraken duke i kapur prapanicën dhe gjoksin. Këto foto tashmë po nxirren si evidencë për sjelljen e tij të keqe seksuale. Një burim anonim që pa atë foto tha: “Arianna po i shtyente duart e tij matanë. Ai po e ngacmonte. Kishte paksa shaka mes tyre, por ajo nuk po ndihej rehat me atë gjë. Ajo definitivisht i tha atij të ndalej, dhe e shtyu.”
Por, zonja Huffington thotë që kjo nuk është e vërtetë. Ideja që ajo po ngacmohej, tha në Twitter ajo, “i bën të parëndësishme ngacmimet seksuale sepse më shumë po insistoja unë që të bëja foto se ai që të më ngacmonte.” Supozimi shqetësues prapa kësaj gjëje është se zonja Huffington është viktimë thjesht shkaku i gjinisë.
Arianna Huffington nuk është një figurë e pakomplikuar: ajo është akuzuar se dukej shumë e ekspozuar mes shoqërisë së saj. Por a nuk duhet të besojmë atë që thotë ajo?
Ne nuk duhet të lejojmë që burrat të lejohen që të jenë edhe njerëz, e gratë të mbesin thjesht gra. Mendoja që feminizmi duhej të na çlironte nga shkatërrimi i identitetit tonë. Duhet të na lejohet edhe neve, që të jemi njerëz.
Ajo që i detyrohemi të gjithë njerëzve, përfshirë gratë, është që t’i dëgjojmë, t’i respektojmë e t’i marrim seriozisht. Por askujt nuk ia detyrojmë një besim të pakushtëzuar.
“Beso ama verifiko” mund të mos e ketë të njëjtën jehonë si “besojuni të gjitha grave.” Por është larg politikë më e mirë.
Përktheu në shqip: Periskopi.