“Duhet të hamë shëndetshëm për të humbur peshë”- Por a e kemi kuptuar si duhet?!
Për të qenë në formë dhe të shëndetshëm duhet që të bëhen bashkë disa komponent. E i gjithë ky proces kërkon përkushtim dhe shumë punë, shkruan Periskopi.
Një nga gjërat kryesore është ushqimi. Kemi dëgjuar se duhet të hamë shëndetshëm dhe me vlera ushqyese. Por, a i kemi marrë këto instruksione si duhet?!
Sipas trajnerit të fitnesit dhe nutricistit Besnik Humolli, nganjëherë këto këshilla nuk shkojnë si duhet në veshin e personave që duan të ushqehen shëndetshëm.
Sipas tij, duhet të kemi shumë kujdes sepse nëse nuk ushqehemi sipas disa rregullave, atëherë edhe sallata mund të bëhet e dëmshme për shëndetin tonë.
Këto janë tri ushqimet që më së shpeshti ‘keqkuptohen’, sipas tij;
BESNIK HUMOLLI- Nutricist dhe trajner personal
Sallatat – janë shumë të pasura me vitamina dhe minerale të cilat kryejnë shumë funksione në organizmin e njeriut.
Nëse kombinohen me salca të ndryshme, atëherë do të zvogëlohen vlerat ushqyese, do te rriten kaloritë në sasi të mëdha dhe do të ndikojnë negativisht në shëndetin e njeriut.
Sallatat mund të sjellin dobi vetëm atëherë kur përmbajnë perime të freskëta, kombinohen me një sasi të proteinave siç është gjoksi i pulës, vezët, tuna, apo vajrave siç është vaji i ullirit, vaji i kokosit, vaji i susamit etj.
Orizi – është ushqim shumë i dobishëm për shëndetin e njeriut i cili e furnizon trupin me energji dhe me një sasi të konsiderueshme të mineraleve.
Nëse konsumohet çdo dite dhe ne sasi të pakontrolluar orizi mund të rrisë rrezikun për sëmundjen e diabetit, shtimin e peshës si dhe problemeve tjera shëndetësore.
Orizi duhet të konsumohet në sasi të caktuar dhe gjithashtu mund të kombinohet me perime, me gjoks pule, peshk etj.
Peshku – është i pasur me proteina, me yndyrë të shëndetshme siç është omega 3 dhe me një sasi të konsiderueshme të vitaminës D.
Konsumimi i tepërt i peshkut mund të rris vlerat e merkurit në gjak dhe disa kimikateve tjera të cilat ndikojnë negativisht në shëndetin e njeriut.
Peshku duhet të konsumohet 2-3 herë brenda javës duke e kombinuar kryesisht me perime./Periskopi