Dua Lipa do të nderohet nga Këshilli Atlantik, pjesë e ceremonisë në Washington edhe Osmani
Dua Lipa është nderuar nga Këshilli Atlantik si një nga fitueset e “Çmimit për Lidership të Shquar” për vitin 2021.
Ylli i muzikës pop me prejardhje shqiptare do të paraqitet në një ceremoni gala të ndarjes së çmimeve që do të mbahet më 10 nëntor në auditoriumin “Andrew W. Mellon” në Washington DC.
Kjo mbrëmje gala do të shërbejë edhe për të festuar 60 vjetorin e Këshillit Atlantik që promovon udhëheqjen konstruktive të SHBA-së bashkë me aleatët globalë.
“Fituesit e këtij çmimi përfaqësojnë më të mirën e marrëdhënieve transatlantike. Në një moment të historisë gjatë së cilit sfida të paprecedentë kërkojnë liderë të jashtëzakonshëm është një privilegj të nderosh këtë grup të jashtëzakonshëm të fituesve”, ka thënë presidenti dhe drejtori ekzekutiv i Këshillit Atlantik Frederick Kempe.
Dua Lipa do të nderohet me “Çmimin e Lidershipit të Shquar Artistik” për karrierën e shkëlqyer muzikore dhe angazhimin e saj për kauzat filantropike, duke përfshirë edhe fuqizimin e gjeneratës së ardhshme të liderëve dhe muzikantëve nga Ballkani.
Këshilli Atlantik në njoftim ka përmendur edhe punën e Duas me fondacionin e saj “Sunny Hill” që ka për qëllim ta përmirësojë jetën në Kosovë, transmeton Klankosova.tv.
Kosovarja Dua Lipa që ka korrur sukses botëror do të jetë bashkë me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani në ceremoninë gala të ndarjes së çmimeve ku kjo e fundit do të mbajë edhe një fjalim.
Këshilli Atlantik do të nderojë edhe presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen e cila do të marrë “Çmimin për Lidership të Shquar Ndërkombëtar”.