Droga psikedelike po transformon mënyrën qysh kuptohet e trajtohet depresioni
Sëmundjet mendore janë shkaktarët kryesore të shekullit 21 për pa-aftësinë, duke lënduar rreth një miliard njerëz në mbarë botën. Depresioni është kontribuuesi numër një: më shumë se 250 milionë njerëz vuajnë nga kjo gjendje globalisht. Numri i njerëzve që marrin anti-depresantë dhe trajtimet e linjës së parë për depresion, po rriten vit pas viti, dhe tregu për to vlerësohet të ketë arritur në 15 miliardë dollarë. E megjithatë, përhapja e shkallës së depresionit nuk ka rënë prej kur është filluar të mbahen regjistrime. Një prej arsyeve për këtë paradoks është dështimi i shkencës që ta shpjegojë në mënyrën e duhur pse dhe si ndodh depresioni.
Ky artikull është publikuar për The Guardian, përkthyer në shqip nga Periskopi.
Psikiatria tash e një kohë të gjatë është përpjekur dhe ka dështuar që të gjejë shpjegime bindëse bio-mjekësore për depresionin. Një ide popullore, “hipoteza e serotoninës”, ishte inspiruar nga vrojtimet e efekteve të ilaçeve anti-depresante në rritjen e këtij kemikati natyror në tru. Fillimisht e prodhuar në mes të viteve 1980, Prozaku [me emrin kemikal si fluoksetinë] është prej më të famshmëve. Një prej këtyre, Cipraleksi [eskitaloprami] është prej më të rinjve dhe me performancën më të mirë.
Ndërsa hipotezat e serotoninës kanë deridiku mbështetje nga shkenca, ato janë shitur masivisht nga industria farmaceutike. Kjo ka nxitur dyshime për shpjegimet e një-anshme neurokimike për depresionin, çka sugjerojnë, për shembull, se njerëzit janë në depresion shkaku i niveleve të ulëta të serotoninës. Provat e fundit tregojnë se anti-depresantët si eskitaloprami janë vetëm margjinalisht më efektivë në trajtimin e depresionit se sa placebo-ja, me shkallën e përgjigjes që shkon në mesataren prej 50 deri në 60%. Të tjera kufizime të këtyre anti-depresantëve përfshijnë pajtueshmërinë e vogël, simptomat kur njerëzit ndalojnë së treguari për to, efektet anësore të pakëndshme dhe fillimi i ngadaltë i efekteve pozitive të tyre.
Unë kam nisur së hulumtuari për një alternativë në raport me anti-depresantët rreth 15 vjet më parë si pjesë të PhD-së time. Psilocibina, përbërës i “kërpudhave magjike”, është një drogë psikedelike klasike. Kur merret në doza të larta, ajo tjetërson krejtësisht cilësinë e ndërgjegjes së njeriut, duke prodhuar vizione komplekse dhe duke çndrydhur kujtime dhe ndjesi të ndrydhura. Pasi kam kompletuar një varg studimesh që përfshijnë psilocibinën, përfshirë edhe testimet e hershme të efekteve të saj mes njerëzve që rezistojnë trajtimin për depresion, unë vendosa të bëja një test më rigoroz që mund të ndihmonte në kontekstualizimin e shpresëdhënies terapeutike të drogës në fjalë. Rezultatet e testimeve dolën vitin e kaluar, dhe gjetjet e të cilave tashmë janë publikuar në Revistën e New England për Mjekësi.
Këto testime përfshinë 59 njerëz me depresion të moderuar dhe të rëndë. Ata ishin vendosur në njërin prej dy grupeve të trajtimit: në njërin prej të cilëve trajtimi kryesor ishte një kurs gjashtë-javor me anti-depresantë konvencionalë, me eskitalopram, dhe në tjetrin, në të cilin trajtimi kryesor ishin dy doza të psilocibinës përmes sesioneve terapeutike.
Ata në grupin e eskitalopramit rezultuan ashtu siç mund të pritej, bazuar në të dhënat e mëhershme nga testimi i anti-depresantëve. Përgjigja mesatare në këtë trajtim doli të ishte 33%. Në anën tjetër, grupi i psilocibinës funksionoi shumë më shpejt, duke ulur nivelin e depresionit për një ditë pas sesionit të parë të dozës. Në fund të këtij testimi, përgjigja mesatare për trajtimin me psilocibinë ishte më shumë se 70 për qind e suksesshme.
Edhe pse kishim pritur që psilocibina të performonte mirë në krahasim me anti-depresantët, nuk kishim pritur që të performonte aq mirë sa bëri. Në fakt, hipoteza kryesore për këtë testim ishte që terapia me psilocibinë do të kishte efekte superiore në mirëqenien psikologjike, por jo në shkallën e rëndesës së depresionit. Por, njerëzit në grupin e psilocibinës treguan prova të përmirësimeve të larta në matjet e depresionit, ashtu edhe në simptomat e ankthit, funksionimit në punë dhe shoqëri, dhe ndjesive vetëvrasëse dhe aftësisë për të ndjerë emocione dhe kënaqësi.
Të dyja grupet përjetuan të njëjtat nivele të efekteve anësore, por eskitaloprami përjetoi përgjumje më të keqe, gojë të tharë, disfunksionalitet seksual dhe ankth. Në grupin e psilocibinës, efekti anësor më i përhapur ishte një kokëdhimbje e lehtë një ditë pas dozimit.
Pse psilocibina duket të jetë trajtim më i suksesshëm për depresionin se sa anti-depresantët tipikë? Të dhënat nga imazhet trunore nga testimi, bashkë me të dhënat psikologjike që kemi mbledhur, duket se shfaqin që ndërsa anti-depresantët iu mpijnë emocionalisht duke reduktuar përgjegjshmërinë e trurit ndaj stresit në tru, psilocibina duket se çliron të menduarit dhe ndjesitë. Ajo e bën një gjë të tillë duke “e çrregulluar” aspektin më evolutiv të trurit tonë: neokorteksin. Kur ky çlirim ndodh bashkë me mbështetjen profesionale psikologjike, rezultati më i zakonshëm është një gjerësi e ripërtërirë e perspektivës. Terapia psikedelike duket se katalizon një tip të zhvillimit psikologjik që është e mirë për shëndetin mendor.
Aspekti më mahnitës i këtij testimi ishte sensi që jemi në prag të një ndryshimi paradigmatik në kujdesin shëndetësor mendor të lidhur me një kuptueshmëri të përmirësuar të origjinave të depresionit, dhe të asaj se si mund ta trajtojmë më efektshëm atë. Në këndvështrimin tim, ky ndryshim do të na çojë prej perspektivës miope e të pabazuar “veç-ilaçe” që ka dominuar psikiatrinë për shumë dekada, në një model shumë-nivelësh “biopsikosocial”. Ky model sheh simptomat e depresionit si një përgjigje adaptuese ndaj fatkeqësive, me shkaktarë të deshifrueshëm – ani pse kompleksë. Drogat psikedelike mund të trajtojnë depresionin duke aktivizuar shkallët më të fuqishme të trurit që kanë evoluar te njerëzit për të katalizuar ndryshime të thella psikologjike. Kur këto gjendje “hiper-plastike” kombinohen me një kontekst të edukuar ambiental, shprehi defanzive të mendjes dhe sjellja mund t’i nënshtrohet një rishikimi më të shëndetshëm.
Këto ide nuk janë të mbyllura vetëm në akademi. Prej që shkrova rreth zhvillimeve në medicinën psikedelike për The Guardian vitin e kaluar, shteti i Oregonit ka votuar në favor të legalizimit të drogave psikedelike për terapi, një projektligj senati është draftuar për të dekriminalizuar ilaçet psikedelike në Kaliformi, dhe politikat po rishikohen edhe në New York, Washington DC, New Jersey, Florida, Canada, Australi dhe Mbretëri të Bashkuar. Qeveria Australiane është zotuar se do t’i ofrojë 8,5 milionë funte [gati 10 milionë euro] për hulumtimet në këtë fushë, ndërsa dy hulumtime të reja janë njoftuar nga universitetet amerikane. Natyrisht, studimi ynë nuk është leje për njerëzit që të mjekohen vetë. Por këto janë zhvillime mahnitëse – që tregojnë se qeveritë po njohin përfitimet e terapive psikedelike.
Shumë pengesa kanë ngadalësuar progresin në mjekësinë psikedelike, dhe pa dyshim se do të ketë edhe më shumë, nga çështjet gjyqësore në kundërshtitë morale. Nëse do të arrijmë një përmirësim të nivelit popullor në mirëqenien psikologjike, kjo rrugë s’do të jetë e lehtë. Pavarësisht testimit të fundit, nganjëherë hamendem nëse do t’ia dalim. Ajo për të cilën jam i sigurt është se, duhet të provojmë.
*Autori është kreu i Qendrës për Hulumtime Psikedelike në Kolegjin Imperial të Londrës