Drita pëson humbje nga Legia, luajti me dhjetë veta nga minuta e 30-të

Drita pëson humbje nga Legia, luajti me dhjetë veta nga minuta e 30-të

Drita nuk arriti që ta shmangë disfatën në ndeshjen e parë të plejofit të Ligës së Konferencës.

Për një orë luajti me një futbollist më pak në fushë dhe kjo e bëri dallimin në duelin që u zhvillua në Varshavë ndaj Legias së Varshavës.

Legia e fitoi 2:0 ndeshjen e parë dhe ka bërë hap para drejt avancimit të fazës grupore të Ligës së Konferencës.

Por, gjasa për përmbysje të rezultatit në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë pas një jave, ka edhe Drita, ndonëse do të jetë shumë e vështirë.

Mbrojtësi ganez i Dritës, Hasan Gomda, në minutën e 31-të, u ndëshkua me karton të kuq.

Pjesa e parë u mbyll pa gola, ndërsa me shumë pritje u shqua portieri i Dritës, Faton Maloku.

Maloku pati paraqitje të mirë edhe në pjesën e dytë, por u mposht për herën e parë në minutën e 56-të.

Sulmuesi Blazh Kramer, realizoi me kokë nga afërsia për epërsinë 1:0 të polakëve.

Shtatë minuta para fundit, Maloku u mposht edhe një herë tjetër.

Shënues në minutën e 83-të ishte Marc Gual.

Legia e Varshavës skuadrën e Dritës e kishte eliminuar pas fitores 2:0 në rrethin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës në edicionin 2020/21.

Shpërndaje në: