Drenica merr fitoren e parë të sezonit, mposht Dukagjinin në Klinë

Drenica merr fitoren e parë të sezonit, mposht Dukagjinin në Klinë

Skuadra e Drenicës ka siguruar fitoren e parë në edicionin e ri në Superligën e Kosovës.

Në kuadër të xhiros së dytë në Superligën e Kosovës, Drenica ka mposhtur në udhëtim skuadrën e Dukagjinit, me rezultatin 1:2.

Mysafirët ishin skuadër më e mirë në të dyja pjesët e takimit, duke shënuar nga një gol për secilën pjesë.

Fillimisht ishte Meziu ai që shënoi kur luhej minuta e 15’ e takimit, duke u treguar i saktë nga pika e bardhë e penalltisë, shkruan Periskopi. Ishte ky gol që vendosi fatin e pjesës së parë.

Me të nisur pjesa e dytë e takimit, në minutën e 49’, në skenë doli Qaqi, i cili shënoi për 0:2, si për t’i dhënë vulën fatit për fituesin.

Dukagjini megjithatë pati diçka për të treguar në këtë ndeshje, kur në minutën e 81′ shënoi me Ardin Dallkun, për të ngushtuar epërsinë në 1:2, por kjo ishte e tëra nga nikoqirët.

Minutat e fundit ishin tejet të tensionuara në këtë takim. Trajneri i Drenicës u ndëshkua me karton të kuq pas disa protestave drejt gjyqtarit, kurse në minutat shtesë pati fërkime të lehta mes lojtarëve.

Me këtë fitore 1:2, Drenica shkon tani në kuotën e katër pikëve dhe siguron fitoren e parë këtë sezon. Dukagjini në anën tjetër mbetet me një pikë. /Periskopi/

Shpërndaje në: