Drejtori i Kombëtares së Kosovës: Federata greke ka shprehur keqardhje, por s’bën punë

Drejtori i Kombëtares së Kosovës: Federata greke ka shprehur keqardhje, por s’bën punë

Drejtori i Kombëtares së Kosovës Bajram Shala, tha në emisionin Info Klania se Federata e Greqisë ka shprehur keqardhje lidhur me incidentet të ndodhur në stadiumin “Panthessaliko”, por kjo keqardhje sipas Shalës s’bën punë.

Ai theksoi se lidhur me ngjarjet gjatë ndeshjes është informuar edhe delegati i UEFA-s.

Drejtori i Kombëtares tha se pret që UEFA të merr masat e duhura.

“Ne kemi pasur edhe shprehje të keqardhjes edhe nga ana e Federatës së Greqisë. Por, kjo sikur nuk bën punë, pasi jemi përballur me një situatë të tillë”- tha Shala.

“Pas ndeshjes kam pasur një takim të gjatë me delegatin e UEFA-s tek i cili kam raportuar për gjithçka, përfshirë ato slloganet dhe flamujt e Serbisë, ato slloganet që kanë qenë fyese dhe diskriminuese ndaj nesh, kurse për mjetet piroteknike ishin të qarta dhe delegati ka marrë shënimet e duhura. Ne presim që të merren masat e duhur”- theksoi ai.

Bajram Shala shtoi se nuk kanë pritur që në Greqi do të ndodhin këso incidentesh.

“Ajo se çka na ka shqetësuar është fakti se si kanë rrjedhur gjërat gjatë ndeshjes sepse deri para ndeshjes gjërat kanë qenë shumë mirë. Gjithçka ka qenë mirë, edhe mikpritja. por gjithçka ka nisur me të filluar ndeshja. Nuk e kemi pritur që do të kemi një pritje të tillë në stadium marrë parasysh se Greqia ka luajtur tre herë në Prishtinë dhe në këto tre ndeshje ne e kemi pasur stadiumin e mbushur me tifozë dhe nuk e kemi pasur as edhe ekcesin më të vogël”- shtoi Shala.

“Po, në fakt pjesa zyrtare e stafit dhe e lojtarëve nuk është se kemi pasur telashe të mëdha. Telashe kanë pasur tifozët, ata që kanë udhëtuar për ta përkrahur kombëtaren. Për atë fokusi i lojtarëve edhe i stafit ka qenë që tifozët të mos pësojnë as edhe një lëndim më të vogël”.

“Normalisht që ka pasur fërkime dhe disa nga tifozët tonë kanë pësuar lëndime të lehta por jo diçka për t’u shqetësuar. Ata kanë pritur pak më gjatë në stadium për shkak të procedurave, derisa janë larguar tifozët grekë dhe më pas janë larguar edhe tifozët tanë”.

“Kurse mbrëmë ne jemi përballur me gjëra jo të këndshme siç janë sulmi i publikut me mjete piroteknike që i ka shqetësuar edhe futbollistët. Dhe ajo çka ndodhi pas pranimit të golit, futbollistët tanë reaguan për sjelljen e tifozëve grekë. Dhe patën debate, me gjyqtarët, me organizatorët, me delegatin e UEFA-s dhe me të gjithë”.

Shpërndaje në: