Drafti i Asociacionit, flet Lajçak: Nuk do të propozoja kurrë diçka që nuk do ta propozoja për vendin tim

Drafti i Asociacionit, flet Lajçak: Nuk do të propozoja kurrë diçka që nuk do ta propozoja për vendin tim

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, duke folur për Draftin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ka thënë se kurrë nuk do të propozonte diçka të cilën s’do t’ia propozonte as Sllovakisë. Në një intervistë për Sbunker-in në kuadër të Podcast “Kosovo Dispatch”, Lajcak ka thënë se s’ka arsye për t’u frikësuar nga Drafti evropian.

“Më pëlqen diskutimi i cili bazohet në fakte. Pra, është vërtet mirë të flasim për atë që është në dokument. Dhe ju e dini, disa vende të rëndësishme kërkuan nga Qeveria e Kosovës që ta dërgojë këtë draft për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, që sigurisht është mënyra më e mire për të parë se sa ky dokument i plotëson kërkesat kushtetuese”, ka thënë Lajcak.

“Pra, ky është sigurisht, do të thoja, një propozim logjik për Qeverinë. Pra, nuk ka asnjë arsye për t’u frikësuar nga ky dokument, sepse siç thashë, ne do të bënim dhe unë personalisht nuk do të propozoja kurrë diçka që nuk do ta propozoja për vendin tim, ose që e di që nuk do të përmbushë standardet evropiane, vlerat evropiane dhe praktikat evropiane”, ka shtuar tutje sllovaku.

Në këtë intervistë për Sbunker-in, Lajcak ka folur edhe për historikun e Drafteve që janë bërë publike e që janë prezantuar në Bruksel. Sllovaku ka përmendur draftin e Ekipit Menaxhues, duke thënë se ai s’kishte qenë i pranueshëm as për palën kosovare e as për Bashkimin Evropian.

“Pra, ka pasur disa punime të prodhuara nga grupet e mendimit si Friedrich Ebert Stiftung, për shembull, por ka vetëm dy propozime të paraqitura zyrtarisht. I pari është teksti i propozuar nga i ashtuquajturi Ekipi Menaxhues. Kjo u prezantua në dialogun e 2 majit të vitit të kaluar. Por nga thelbi, nga përmbajtja, ky propozim nuk ishte i pranueshëm për Kosovën dhe në shumë aspekte nuk ishte i pranueshëm edhe për Bashkimin Evropian si lehtësues, sepse parimi ynë është që çfarëdo që të pajtohemi duhet të përmbushë standardet evropiane dhe praktikat më të mira evropiane”, ka sqaruar Lajcak.

Tutje emisari i BE-së thotë se duke e parë situatën se palët s’do të hartonin ndonjë dokument për Asociacionin, në bashkëpunim me shetet anëtare dhe SHBA-të ishte vendsour që BE të ndihmonte procesin dhe palët duke e hartuar statutin e Asociacionit.

“Ishte një proces shumë i përpunuar, shumë kohë dhe shumë i mundimshëm, me mbështetjen e ekspertëve të njohur ligjorë ndërkombëtarë dhe ekspertëve në fushën e mbrojtjes së pakicave, duke përfshirë ekspertë të Këshillit të Evropës dhe ekspertë ligjorë nga Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Franca dhe Italia”, ka thënë Lajcak për Sbunker-in./Express

Shpërndaje në: