Dosja e Fajdexhinjve: “Nuk ni për kërkond hiç, keni me i bo paret”, për 120 mijë euro i kërkuan 240 mijë – dyshohet se viktima tentoi vetëvrasjen
Personi Y (identitetin e të cilit e di redaksia), dyshohet se tentoi vetëvrasjen pasi ka deklaruar se është rrëmbyer dhe në vend të 120 mijë euro iu kërkua që t’i paguante 240 mijë euro. Atij dyshohet se “fajdexhinjtë” i kishin shkuar edhe në shtëpi duke e kërcënuar dhe i ishte thënë “nuk ni për kerkond hiç, keni me i bo paret”. Për këtë rast, katër persona ndodhen në paraburgim.
Dy ditët e fundit policia njoftoi për arrestimet që u bënë në disa lokacione të Kosovës për të goditur “grupet kriminale” që merreshin me veprimtari ilegale.
Për njërin nga rastet e përshkruara më lartë, Gazeta Express, ka siguruar dosjen e Prokurorisë Themelore të Pejës, e punuar nga prokurori Ersan Qavolli, të cilit sot iu pranua kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj katër të pandehurve në afat prej 30 ditësh.
Anëtarët e familjes nga Prishtina me inicialet, V.P., A.P., dhe I.P., sipas dosjes së prokurorisë, angazhuan personin I.H., nga Peja., që përmes forcës ta detyrojnë Y dhe S.. me ua pagu 240 mijë euro, ndërsa këta për kryerjen e “kësaj pune” do ta paguanin të pandehurin I.H.., 40 mijë euro.
Në dosjen e Prokruroisë Themelore të Pejës thuhet se në takimin e datës 20 qershor 2024, mes viktimave dhe të pandehurve A.P., dhe I.H., ndër të tjera i pandehuri e pranon se investimi i tyre është 120 mijë euro, por nga të dëmtuarit kërkon që t’i paguajë 240 mijë euro “në të kundërtën do t’iu gjuajë bombë në shtëpi dhe i kërcënon në mënyra të ndryshme”.
I.H., i kërcënon të dëmtuarit me fjalë të ndryshme dhe kërkon të paguhet 240 mijë euro “sepse do të kenë problem me të dhe u drejtohet me fjalët “unë ua q* atë nonë”. “Nuk ni për kërkond hiç, keni me i bo paret”, vijon dosja e prokurorisë.
Gjithashtu në dosje ceket se e kanë “angazhuar personin tjetër”, përmes të cilit kanë rrëmbyer të dëmtuarin Y…
Nga përgjimi i telekomunikimeve, prokuroria thekson se se A.P., planifikonte krijimin e kartelave elektronike me qëllim tërheqjen e parave ilegalisht nga banka të ndryshme.
Aty theksohet se në shtëpinë e të pandehurve janë gjetur dhe sekuestruar edhe pajisje për prodhimin e kriptovaluatve. Të pandehurit pretendojnë se kanë miliona në Dubai, theksohet në dosje.
V,P., A.P., dhe I.P., po hetohen për veprat penale “Fajdeja”, “Rrëmbimi” dhe “Detyrimi”, ndërsa I.H., për veprën penale “Detyrimi”.