Dortmund – Real Madrid: Statistikat e finalistëve në Ligën e Kampionëve
1 qershori (nesër) sjellë finalen e madhe të Ligës së Kampionëve.
Në arenën e “Wembley” ‘zbarkojnë’ Real Madridi e Borussia Dortmundi, dy finalistët e edicionit të sivjetëm, shkruan “Gazeta Express”.
Skuadra e Real Madridit nuk e pati fortë të lehtë rrugëtimin deri në finale, pasi u përballë me kundërshtarë goxha të vështirë.
Në fazën e grupeve, “Los Blancos” dolën të parët pasi lanë pas vetës Napolin, Bragan e Union Berlinin.
Mirëpo, Leipzigu s’e lejoi të kalojë me kaq lehtësi në çerekfinale.
Ndonëse fituan ndeshjen e parë në Gjermani me shifrat 1-0, Real Madridi vetëm barazoi 1-1 me Leipzigun në “Santiago Bernabeu”, derisa po të ishin më me fat, skuadra gjermane do të kalonte vetë tutje.
E në çerekfinale, skuadra e drejtuar nga Carlo Ancelotti vuajti shumë. Fillimisht, në shtëpinë e tij, Real Madridi barazoi 3-3 me Manchester Cityn. Në takimin e dytë, Reali udhëhiqte i pari me anë të Rodygos, derisa De Bruyne barazoi në 15-minutëshin e fundit të takimit.
Në vazhdime, Reali mezi i ndali sulmet e Manchester City, dhe tek në penallti arriti kualifikimin për në gjysmëfinale.
Aty, Real Madridi kishte punë me Bayern Munchen, të cilin pas barazimit 2-2 në Gjermani, e mposhti në “Bernabeu” me rezultat 2-1.
Ndërkohë, në anën tjetër, Dortmundi ishte pjesë e “Grupit të Vdekjes”, duke qenë i shortuar në një grup me PSG, Milan e Newcastle.
Dortmundi u nënvlerësua tejmase, derisa pothuajse të gjithë mendonin se nuk do ta kalonin as grupin.
Grupin e kaluan, madje nga vendi i parë, duke siguruar plasmanin në 1/8 e finales, aty ku eliminuan PSV-në.
Në çerekfinale, Dortmundi gjeti vetën përballë Atletico Madridit. Edhe këtu triumfues doli Dortmundi, duke rikthyer rezultatin në ndeshjen e dytë.
Në takimin e parë gjysmëfinal, Dortmundi arriti të fitojë ndaj PSG-së me shifrat 1-0, me golin e Fullkrug.
Rezultat të njejtë arriti edhe në “Parkun e Princave”, mirëpo kësaj here shënoi Mats Hummels.
Kështu, Real Madridi luan finalen e 18-të në histori, duke arritur të fitojë 14 nga to, derisa në tri është mposhtur.
Ndërkohë, Dortmundi ka luajtur 2 finale më parë, duke fituar një në vitin 1997, dhe atë në vitin 2013 e kishte humbur pikërisht në “Wembley”, por nga rivali gjerman, Bayern Munchen.
Real Madridi ka 5 finale të luajtura e të fituara në dekadën e fundit.
Këto dy skuadra janë përballur 14 herë në kompeticionet e UEFA-s, me Real Madridin që ka 6 fitore, kundrejt tri të Dortmundit. 5 takime janë mbyllur me shifra të barabarta.
Finalja luhet ditën e nesërme nga ora 21:00 në Londër të Anglisë, teksa fituesi i kësaj përballje luan në Superkupën e UEFA-s ndaj Atalantas.