“Dorëzohet” Bob Dylan, ligjërata për Nobelin: Këngët nuk janë letërsi, ato duhen kënduar

“Dorëzohet” Bob Dylan, ligjërata për Nobelin: Këngët nuk janë letërsi, ato duhen kënduar

Bob Dylan plotëson kushtin e vetëm nga Komiteti i Nobelit, që deri më 10 qershor duhej të dërgonte ligjëratën e çmimit, ndryshe do të humbte shpërblimin prej 900 mijë dollarësh. Kështu, vlerësuar si një fjalim elokuent, i jashtëzakonshëm, Dylan ka përmbushur këtë kusht duke incizuar të hënën fjalën e tij në Los Angelos, që shkon 27 minuta, ku flet për muzikën dhe librat që kanë ndikuar në jetën e tij.

Bob Dylan më në fund e ka mbajtur ligjëratën që ishte e domosdoshme me marrjen e çmimit Nobel për letërsi. Kantautori la pothuaj deri në çastet e fundit, pezull pranimin e këtij vlerësimi prej 900 mijë dollarësh. Por, pas kësaj kishte edhe një afat, si kushti i vetëm nga Komiteti i Nobelit që deri më 10 qershor të mbante ligjëratën, ose në të kundërtën do të humbte shpërblimin monetar, e theksuar kjo në shkrimin e BBC, të një dite më parë.

Modest nuk ka qenë aspak Bob Dylan në këtë fjalim që u lexua në Banketin e Nobelit në 10 dhjetor. Ai nuk ishte i pranishëm, si edhe dihej, por fjalimi ishte kushti i vetëm që Komiteti i Nobelit vendos ndaj fituesve që ata ta marrin këtë çmim pasi shpallen fitimtarë.

Dylan e vendosi, një ligjëratë që shkonte 27 minuta e incizuar u dha të dielën në Los Angelos, e transmetuar të hënën në mëngjes.

“Fjalimi është i jashtëzakonshëm dhe, sikur mund të pritet, elokuent. Tani që ai e ka mbajtur ligjëratën, aventurës Dylan po i vjen fundi”, ka shkruar në një postim Sara Danius, sekretare permanente e Akademinë Suedeze, që ndan çmimet “Nobel”.

Gjatë ligjëratës 27-minutëshe të incizuar, postuar dhe në faqen e web-it të Nobelit, këngëtari ka përmendur tre libra që kanë pasur ndikim tek ai: “Moby Dick” të Herman Melville, “Odiseja” të Homerit dhe “Asgjë e re nga fronti i Perëndimit” të Erich Maria Remarques.

“Kur mora këtë Çmimin Nobel për Letërsi, më pyetën saktësisht se si këngët e mia kanë të bëjnë me letërsinë. Doja të reflektoja për këtë dhe të shoh se ku ishte lidhja. Nëse do të kthehesha në fillimin e të gjitha gjërave, mendoj se duhet të filloj me Buddy Holly. Buddy vdiq kur isha rreth tetëmbëdhjetë vjeç dhe ai ishte njëzet e dy vjeç. Që nga momenti që e dëgjova për herë të parë, u ndjeva i afërt. U ndjeva i lidhur, sikur ai ishte një vëlla më i madh. Unë madje mendova se si t’i ngjaja atij. Buddy luante muzikën që më pëlqente- muzikën me të cilën u rrita: rock’n roll, ritëm dhe dëshpërim. Buddy shkroi këngë – këngë që kishin melodi të bukura dhe vargje imagjinative, këndoi në më shumë se disa zëra. Ai ishte arketip. Çdo gjë që nuk isha dhe dëshiroja të isha. M’u desh të udhëtoja njëqind milje për ta parë atë të luante dhe nuk isha i zhgënjyer.

Ai ishte i fuqishëm dhe elektrizues dhe kishte një prani komanduese. Isha vetëm gjashtë metra larg. Ai ishte mahnitës. E pashë fytyrën, duart, mënyrën se si e prekte këmbën, syzet e mëdha të zeza, sytë pas syzeve, mënyrën se si e mbante kitarën, mënyrën se si qëndronte….Ai më mbushi me bindje…, ka thënë që në krye Dylan si u lidh me muzikën dhe vargjet, ndikimin që pati nga Hollu kur “papritmas ndodhi gjëja më e çuditshme. Ai më pa drejt në sy dhe më transmetoi diçka. Diçka që nuk e kisha ditur. Dhe më rrëqethi”.

“Duke i dëgjuar të gjithë ata artistë të hershëm të folkut, dhe duke i kënduar vetë këngët, ju e përvetësoni gjuhën e folur”, ka thënë Dylan. Pastaj ka folur për ndikimet që ka pasur në aspektin letrar. Ai e ka përshkruar “Moby Dick” si “një libër tërheqës, një libër që është i mbushur me skena të dramës së madhe dhe dialog dramatik”.

Për Asgjë e re nga fronti i Perëndimit ka thënë se është një rrëfim horror. “Ky është një libër ku ju e humbni fëmijërinë, besimin tuaj në fjalën domethënëse dhe shqetësimin tuaj për individë”. Për “Odisenë” ka thënë se është libër i mrekullueshëm, temat e të cilit kanë funksionuar në baladat e shumë kantautorëve. Dylan gjithashtu ka folur për domethënien në këngë. “Nëse një këngë ju prek, kjo është më e rëndësishme. Nuk dua ta di se çfarë do të thotë një këngë. I kam shkruar të gjitha llojet e gjërave në këngët e mia. Dhe nuk do të brengosem për atë se çfarë nënkuptojnë ato”. Dylan ka konkluduar se “këngët tona janë gjallë në tokën e jetesës”. “Por këngët nuk janë letërsi. Ato duhen kënduar, jo lexuar. Fjalët në shfaqjet e Shekspirit është dashur të inskenoheshin. Sikurse këngët në tekste që duhet të këndohen, jo të lexohen në një faqe”. “Dhe shpresoj që disa nga ju ta keni shansin t’i dëgjoni këto tekste në mënyrën se si ato kanë pasur qëllim të dëgjohen, në një koncert apo incizim ose kudo qoftë që njerëzit i dëgjojnë këngët ditëve të sotme. Po rikthehem te Homeri, i cili thoshte: ‘më këndo mua, oh Muzë, dhe nëpërmjet meje, rrëfeje historinë”.

Shpërndaje në: