Donald Trump fyen palestinezët
Kanë kaluar disa dekada dhe konflikti mes Izraelit dhe palestinezëve ka mbetur i pazgjidhur. As luftërat, atentatet, rebelimet popullore dhe as iniciativat ndërkombëtare, marrëveshjet e paqes apo pranimet e rezolutave të OKB-së, nuk kanë ndryshuar në thelb diçka. Mosbesimi është shumë i madh, gatishmëria apo aftësia për kompromise historike është të thuash zero tek të dyja palët.
Në këtë kontekst do të duhej të ishte një impuls shpresëdhënës, kur një president amerikan, me një vizion bindës politik për paqen nga Uashingtoni i sinjalizon Lindjes së Afërt: Ne ndodhemi në një rrugë pa krye, prandaj po përpiqemi me ide të reja e duke nisur një udhë tërësisht të re.
Por, presidenti Trump është një president që jo patjetër njihet për vizionet e tij politike të paqes. Edhe për Lindjen e Afërt ai nuk ka ide apo impulse të reja zgjidhjeje. Përkundrazi. Plani i tij i paqes i shpallur si “marrëveshja e shekullit”, nuk është marrëveshje në kuptimin e një kompromisi të dhimbshëm të negociuar mes dy palëve të barabarta. Ai është qartësisht përpjekje për diktat politik.
Ky plan merr parasysh – me disa kufizime simbolike – në mënyrë shumë të njëanshme dhe zemërgjerë interesat e sigurisë së Izraelit, në një kohë që palestinezët nuk ishin as pjesëmarrës në përpilimin e tij dhe qartësisht janë humbësit. Ata rrezikojnë të humbasin nga aneksimi rajone të tjera të ngulimeve izraelite apo të pushtuara, për të cilat kanë pretendim në bazë të së drejtës ndërkombëtare.
Vërtet që ata me gjasë do të kenë shtetin e tyre, por ky duhet t’u nënshtrohet në mënyrë strikte interesave të sigurisë së Izraelit e duhet të jetë tërësisht i çmilitarizuar. Jerusalemi do duhet të jetë, siç e bëri të ditur Donald Trump në mënyrë të njëanshme në vitin 2017 – përjetësisht kryeqyteti “i pandarë” i Izraelit. Në të njëjtën kohë, si ngushëllim, disa pjesë në lindjen e Jerusalemit, të populluar me arabë, do të shërbejnë në të ardhmen si “kryeqytet” i palestinezëve. Ky plan mund të jetë “shansi i fundit” për palestinezët, tha Trump. Ai mund edhe të thoshte, bini dakord ose lëreni – por një shans tjetër nuk do të keni nga unë! Kështu nuk kanë për t’u ngritur kurrë dy shtete me të drejta të barabarta. Ajo që Trump u jep palestinezëve është një zgjidhje me 1,5 shtete, jo dy shtete.
Kjo iniciativë politike nuk është vetëm jomorale dhe fyese, sepse në një konflikt dypalësh i ofrohet vetëm më të fortit “e drejta” e tij. “Plani i paqes” së Trumpit është i rrezikshëm, sepse i lë dorë të lirë Izraelit, mbi bazën e një gjoja “marrëveshjeje”, të aneksojë territore të tjera palestineze. Për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, kjo është gjë e mirë, sepse asnjë kryeministër tjetër izraelit nuk arritur të marrë kaq shumë lëshime nga Uashingtoni. Kjo i siguron atij pikë në fushatën zgjedhore në vend dhe i lë në hije për momentin akuzat për korrupsion.
Kurse, nga pala arabe-palestineze priten protesta masive, megjithëse shumë prej tyre janë vetëm pohime gojore. Forcat ekstremiste janë duke fërkuar duart, sepse ky plan u jep atyre një pretekst të ri për terror dhe dhunë. Të gjitha këto nuk kanë për ta bërë më të sigurt Lindjen e Afërt. As Izraelin. /DW/