DOKUMENT | Komuna e Gjilanit vazhdon ta favorizojë kompaninë e afërt me Vetëvendosjen, i jep tender mbi 28 mijë euro
Komuna e Gjilanit e udhëhequr nga Alban Hyseni, vazhdon t’i jap tenderë kompanisë së afërt me pushtetin, shkruan Periskopi.
Së fundmi, Hyseni ka nënshkruar kontratë në vlerë prej 28 mijë e 200 euro me një grup operatorësh ekonomik, ndër të cilët është edhe kompania EL-BAU dhe EING, kompani këto të afërta me Lëvizjen Vetëvendosje.
Më 13.09.2024, Komuna e Gjilanit ka njoftuar për dhënien e kontratës për tenderin “Ndërtimi dhe shtrirja e ndriqimit publik në zonën e tretë të qytetit – Ndriqimi publik në fshatin Velekincë”.
Grupi i operatorëve ekonomik të cilëve i është dhënë kontrata është: TONI GONI T&G SH.P.K.; EL-BAU SH.P.K.; EING COM SH.P.K..
Bazuar në të dhënat e ARBK-së, kompania “EING COM & EL BAU” SH.P.K. është themeluar në vitin 2023 dhe pronarë të saj janë kompania nga Podujeva “EING COM SH.P.K” me 99 për qind të aksioneve, që për pronar ka Eljesah Podvorica, ndërsa 1 për qind të aksioneve i posedon “EL-BAU” SH.P.K më pronarë Fatlum e Suad Pireva.
Periskopi ka gjetur se kompania “EL-BAU” SH.P.K, si asnjë kompani tjetër ka fituar më së shumti tenderë nga Komuna e Gjilanit në lëminë e ndërtimit, kryesisht të rrugëve.
Në vitin 2021, deputeti i LVV-së, Sali Zyba dhe pronari Eljesah Podvorica ishin së bashku në një vizitë në Therandë, ku kishin publikuar edhe fotografi dhe ata shihen në shoqëri edhe të disa personave për rreth.
Në vitin 2019, po ashtu, deputeti i LVV-së, Nijazi Isaku, kishte postuar një fotografi së bashku me pronarin Eljesah Podvorica dhe me dy persona të tjerë në Facebook.
“Kosovë urime nga shpëtimi i epidermës së hajnave!”, kështu e kishte paraqitur Kadri Bislimi gëzimin e tij më 14 shkurt 2021, pas fitores së Albin Kurtit.
Kadri Bislmi, një përkrahës i madh i Lëvizjes Vetëvendosje, nga ajo që mund të vërehet qartë në “Facebook”, del të jetë vjehrri i Eljesah Podvoricës.
/Periskopi/