Doktorët tregojnë dy nga ushqimet më kancerogjene për të rinjtë
Onkologët në mbarë botën janë alarmuar nga rritja e numrit të rasteve me kancer te të rinjtë, duke bërë të ditur se ushqimi i paketuar (ushqimi i shumë procesuar i gatshëm për t’u ngrënë) dhe mishi i procesuar, janë shkaktarët më të mëdhenj të kësaj sëmundje.
“I këshillojmë njerëzit që të qëndrojnë larg ushqimeve të procesuara shumë, ku përfshihen, tortat e paketuara, biskotat, ëmbëlsirat, patatinat, pijet me sheqer të shtuar dhe ushqimet e shpejta si picat dhe burgerët”, ka thënë doktori Metthew Lambert, nga World Cancer Research Fund, për Daily Mail.
Sëmundja e kancerit po i godet rëndë njerëzit, sidomos gratë dhe të rinjtë rreth moshës 30 vjeçe.
“Rastet me kancer që janë shpeshtuar te të rinjtë, kanë qenë alarmuese për të gjithë ne. Në të kaluarën mendonim se kanceri është sëmundje e të vjetërve e tani po shohim shumë të rinj që po diagnostikohen me këtë sëmundje” ka thënë onkologu nga Universiteti i Miamit, Coral Olazagasti.
Ushqimet e shpejta, të shumëprocesuara dhe ato të paketuara që janë të gatshme për t’u ngrënë, kanë rritur shqetësimet e doktorëve duke i shtyrë që të bëjnë thirrje për moskonsumim të tyre, sepse nuk përmbajnë fibra, vitamina e vlera ushqyese.
Mendohet se mutacionet që krijohen në zorrë, si pasojë e kequshqyerjes, ulin aftësinë e trupit që të luftojë qelizat parakancerogjene.
Ushqimet e shumëprocesuara përmbajnë ngjyrues, emulgatorë, shije artificiale dhe të tjera shtesa që janë komponime tepër të dëmshme për shëndetin e njeriut, e që mund të krijojnë mutacione në zorrë. Këto ushqime mund të përmbajnë sasi të tepërt të ëmbëltuesve artificialë, kripërave artificiale e yndyra të saturuara.
Sipas një studimi që është bërë së fundmi, ushqimet e shumëprocesuara përbëjnë 73 për qind të tregut ushqimor në SHBA dhe një amerikan merr më shumë se 60 për qind të kalorive në ditë nga ky ushqim.
Studimet gjithashtu kanë treguar se njerëzit që konsumojnë 10 për qind më shumë ushqime të shumëprocesuara se të tjerët, janë 23 për qind më të rrezikuar të diagnostikohen me kancer të kokës dhe qafës.
Ky ushqim gjithashtu thuhet se shkakton 24 për qind më shumë rrezik për kancer të ezofagut, i cili është tubi që lidh fytin me stomakun, kanceri i të cilit është renditur i gjashti nga më të shpeshtit në botë, sipas Vleveland Clinic Journal of Medicine.
Ndërkohë Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), mishin e procesuar, e ka klasifikuar si kancerogjen për njerëzit, duke bërë të ditur se studimet që janë bërë kanë treguar prova të mjaftueshme se konsumimi i mishit të procesuar shkakton kancer në zorrën e trashë.
Ekspertët besojnë se rritja e rrezikut nga kanceri mund të shkaktohet nga nitratet brenda mishit, të cilat kur kombinohen me komponime që gjenden në zorrë mund të dëmtojnë qelizat.
Sipas një studimi që është bërë në vitin 2015, njerëzit që konsumonin mish të kuq dhe të procesuar çdo ditë kishin 40 për qind më shumë gjasë të diagnostikoheshin me kancer në zorrë, krahasuar me ata që e konsumonin këtë mish një herë në javë apo më pak.
Prandaj konsumimi i ushqimeve që përmbajnë prezervativ me nitrate dhe nitrite, ushqime të tymosura e mish të kuq kanë më shumë predispozita të sëmuren nga kanceri.
Onkologu Nicolas DeVito, ka thënë se shumica e pacientëve të ri të tij janë nën moshën 45 vjeçe, duke vënë fajin kryesor tek ushqimet e shumëprocesuara si ato të skuqura, mishi i kuq dhe pijet me sheqer të shtuar.