Dobitë e fjetjes në krahun e djathtë
Një studim amerikan ka konfirmuar dobitë e fjetjes në krahun e djathtë, gjë e njohur kjo në traditën e profetit Muhamed.
Sipas studimit, të flesh në krahun e djathtë duke vendosur dorën poshtë faqes, qetëson trupin dhe ndihmon që gjumi të na zërë sa më shpejt. Ky studim është bërë nga një grup studiuesish amerikanë me në krye shkencëtarin me origjinë nga Egjipti dr. Xhemaludin Ibrahim, profesor i toksikologjisë në Kaliforni dhe njëkohësisht drejtor i qendrës Life Science. Dr. Ibrahim tha se ky studim vjen si rezultat i orientimit të qendrave studimore amerikane drejt metodave natyrore për zgjidhjen e problemeve që kanë ardhur si pasojë e përdorimit të kimikateve.
Ai shtoi se studimi i tyre është bazuar në disa studime të tjera që janë bërë në Britani me fëmijë. Këto studime kanë zbuluar se fjetja e fëmijëve në krah të djathtë, i ndihmon për një gjumë të qetë dhe parandalon ankthet e natës. Ai tregon se zbatimi i këtyre rezultateve tek të rriturit, ka treguar se duke fjetur në krahun e djathtë, zemra pulson më lehtësisht pasi qëndron në pjesën e sipërme të trupit.
Kështu, ajo e pompon gjakun më kollaj në pjesët dhe gjymtyrët e tjera. Kur njeriu është i tensionuar, ngarkesat elektrike akumulohen në tru dhe me vendosjen e dorës poshtë faqes së djathtë, këto ngarkesa të tepërta shkarkohen nga truri. Kjo, pasi hemisfera e djathtë dhe e majtë e trupit të njeriut, janë të pabarabarta në ngarkesat elektromagnetike. Ngarkesat elektrike të anës së djathtë, janë më të pakta se ato të anës së majtë për shkak të zemrës. Hemisfera e djathtë e trurit kontrollon atë të majtën dhe anasjelltas.
Për rrjedhojë, vendosja e dorës poshtë faqes së djathtë, bën që ngarkesat elektrike të hemisferës së djathtë të shkarkohen tek dora, gjë e cila e ndihmon njeriun të relaksohet dhe ta zërë gjumi më shpejt.