‘Do të transformohet kryeqyteti’, Rama flet pas nisjes së punimeve në rrugën “Xhorxh Bush”

‘Do të transformohet kryeqyteti’, Rama flet pas nisjes së punimeve në rrugën “Xhorxh Bush”

Gjatë ditës së sotme kanë nisur punimet në rrugën “Xhorxh Bush” në kryeqytet.

Në përurimin e punimeve ka marrëm pjesë edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili ka thënë se me ndërtimin e këtij sheshi do të transformohet kryeqyteti

“Do të jetë një transformim i mrekullueshëm për kryeqytetin”, ka deklaruar ai.

Rama ka mohuar se ka probleme pronësore në këtë pjesë.

“Projekti është i mrekullueshëm dhe nuk ka asnjë problem me shty përpara. Ne po vazhdojmë me punimet, për të mirën e të gjithë qytetarëve tanë”, tha ai.

Ndërtimi i sheshit “Xhorxh Bush”, Komunës së Prishtinës pritet ti kushtoj hiç më pak se 18,4 milionë euro.

Sipas njoftimit të publikuar në platformën e-Prokurimi, për ndërtimin e këtij sheshi është rekomanduar grupi i operatorëve ekonomikë “Salillari; Gjini Construction Sh.P.K; Hidroterm Sh.P.K”.

Për realizimin e këtij projekti kanë aplikuar katër operatorë.

Kohëzgjatja e këtij tenderi është maksimumi 360 ditë, siç përshkruhet në dosjen e tenderit.

Procedura e prokurimit për ndërtimin e sheshit ‘Xhorxh Bush’, ishte pezulluar më 12.09.2024, si shkak i një ankese nga një operator ekonomik në Organin Shqyrtues të Prokurimit, masë kjo e paraparë me ligj.

Kështu kishte bërë të ditur vetë Komuna e Prishtinës përmes një komunikate të lëshuar për media, pas raportimeve se ishte pezulluar procesi për shkak të shkeljeve ligjore.

“Dorëzimi i kësaj ankese në OSHP nga operatori ekonomik nuk nënkupton shkelje procedurale e ligjore a as ndalim të aktivitetit të prokurimit, por është masë automatike e paraparë me ligj pavarësisht nëse ankesa është e bazuar apo jo. Pra, çdo herë kur një operator ekonomik parashtron ankesë në OSHP, aktiviteti i prokurimit pezullohet në mënyrë automatike. Kjo është paraparë me nenin 112, paragrafi 1, i Ligjit për Prokurim Publik”- kishte  bërë të ditur Komuna e Prishtinës, nëpërmjet komunikatës së lëshuar më 12.09.2024.

Ndërsa,  procedurat për ndërtimin e sheshit ‘Xhorxh Bush’ pranë Katedrales, që do të zgjatet deri te Sheshi ‘Zahir Pajaziti’, kishin nisur në gushtin e vitit 2023.

Sipas të dhënave nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP), kostoja e këtij projekti pritet të arrijë në 18 milionë e 400 mijë euro.

Krijimi i një sheshi të Katedralja ka qenë pjesë e programit qeverisës të Përparim Ramës i cili ka deklaruar disa herë se kjo zgjatje është vetëm pjesa e parë, pasi plani është që sheshi të zgjatet në fazën e dytë deri të Posta e Madhe që më pas lidhet edhe me Xhaminë në Dardani e cila është në ndërtim, derisa gradualisht të vazhdojë deri tek rrethi me flamur në ‘Ulpianë’.

Krijimi i sheshit te Katedralja është përmendur edhe gjatë qeverisjes së ish-kryetarit, Shpend Ahmeti, projekt ky si pjesë e planit të mobilitetit për Prishtinën.

Plani i mobilitetit i punuar nga Mott MacDonald në vitin 2019 është plan 12-vjecar që përfshinë disa reforma në infrastrukturën e qytetit, përfshirë shtigjet e çiklizmit, shtrimin e rrugëve të reja, reformim të transportit publik, përfshirë pritoret etj.

Shpërndaje në: