“Do të ketë rënie të Lëvizjes Vetëvendosje në përqindje”
Analisti politik, Artan Muhaxhiri, ka thënë se pret që të ketë rënie të Lëvizjes Vetëvendosje në përqindje, në zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit.
Të enjten në “60 Minuta” të KTV-së, Muhaxhiri ka thënë se janë disa faktorë të cilët kanë ndikuar në këtë rënie.
“Unë pres që do të ketë rënie të Lëvizjes Vetëvendosje në përqindje, çështja kryesore është se sa do të jetë kjo rënie. Varet edhe nga opozita se sa do të jenë bindëse. Konflikti me presidenten Osmani është një faktor tjetër. Unë besoj se nuk ka asnjë gjasë që ta përsërisë rezultatin e kaluar”, ka thënë ai.
Derisa u pyet për emrat e shoëbizit, të përfshirë në listat e kandidatëve për deputetë, Muhaxhiri e ka përmendur sërisht partinë në pushtet, duke thënë se kryeministri Albin Kurti nuk ka arritur të joshë profesionistë.
“Po tregojnë se kryeministri Kurti nuk ka arritur të joshë profesionistë që i duhen në punën e tij, në korrigjimin e gabimeve, në përmirësimin e imazhit e kualitetit të punës së tij. Kjo ka qenë e pritshme realisht sepse nuk besoj se ndonjë njohës i mirë i marrëdhënieve ndërkombëtare mund të punojë në qeveri kur Kosova është në sanksione, ka probleme me Amerikën, me BE-në e kur puna e atij profesionisti nuk mund të jetë frytdhënëse”, ka thënë ai.
Sipas Muhaxhirit, partitë politike nuk janë përpjekur shumë në krijimin e listave, teksa ka shtuar se do të ketë garë të nivelit të ulët politik.
“Ajo që është reflektuar nga të gjitha këto lista është se partitë politike nuk kanë shkrirë shumë mend në krijimin e tyre, nuk janë përpjekur shumë, i kanë rënë shkurt e trup. Janë emra që 99 për qind e tyre janë pjesë e skenës politike. Nuk ka pasur asnjë tendencë që të përfshihen njerëz të ri që kanë potencial profesional, që kanë autoritet profesional në fushat e tyre. Mendoj se do të jetë një garë e nivelit të ulët politik sepse pozita nuk do të ketë me çka të krenohet për shkak të 4-vjeçarit, ndërsa opozita nuk besoj se ka arritur të krijojë projekte konkrete, apo definim të premtimeve”, ka thënë ai.