“Do shkojmë së bashku për të blerë rroba”, ky ishte premtimi i trajnerit të Lille për Edon Zhegrovën
Skuadra e Lille ka shënuar fitore të madhe mbrëmë ndaj Marseille me rezultatin 3:1 në ndeshjen e vlefshme për javën e 28-të në Ligue 1.
Edon Zhegrova bëri një tjetër paraqitje të mirë mbrëmë dhe ishte në qendër të vëmendjes edhe pse nuk shënoi ndonjë gol, shkruan Indeksonline
Klubi francez ka publikuar një video në rrjetet sociale ku shihet trajneri, Paulo Fonseca duke treguar se para ndeshjes i bëri një premtim Edon Zhegrovës.
“Ishte lojë e pabesueshme dhe e vështirë. I premtova Edonit që nëse fitojmë, unë do të shkoj me të për të blerë rroba. Do të shkojmë të martën”, ishte premtimi interesant i trajnerit të Lille.
“Ose të nesërmen”, ia kthen futbollisti kosovar Edon Zhegrova.
Kujtojmë që Edon Zhegrova gjatë këtij sezoni në Ligue 1 të Francës ka shënuar pesë gola dhe ka bërë pesë asiste.
Në anën tjetër, Lille është duke luftuar për një vend që i dërgon ata në UEFA Champions League për sezonin e ri 2024/25.